20 Shkurt 2020

Avokati I Popullit Bën Thirrje Për Seriozitet Në Trajtimin E Rekomandimeve Lidhur Me Mbrojtjen E Fëmijëve Nga Abuzimi Seksual


AVOKATI I POPULLIT BËN THIRRJE PËR SERIOZITET NË TRAJTIMIN E REKOMANDIMEVE LIDHUR ME MBROJTJEN E FËMIJËVE NGA ABUZIMI SEKSUAL

Rastet e përsëritura të ngacmimeve seksuale apo ngjarjeve të kësaj natyre në shkollat shqiptare, kanë qenë vazhdimisht shqetësim i institucionit të Avokatit të Popullit.
Në shkurt të vitit të kaluar, Avokati i Popullit u angazhua dhe hetoi ngjarjen e rëndë të dhunimit seksual të një minoreneje në një shkollë të Kavajës, nga nxënës të tjerë të kësaj shkolle.

Një listë e gjatë me rekomandime iu dërgua Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Autoritetit të Mediave Audiovizive, institucioneve të pushtetit vendor etj.

Avokati i Popullit ka kërkuar përmes këtyre rekomandimeve marrjen e masave për forcimin e sistemit të monitorimit dhe vlerësimit të respektimit të të drejtave të fëmijëve, marrjen e masave nga Ministria e arsimit për trajtimin e zgjeruar të temës së dhunës dhe abuzimit seksual në kurrikulat mësimore, trajnimin dhe kualifikimin në vazhdimësi të stafeve mësimore, etj.

Përsëritja e ngjarjeve të këtilla të rënda, sikurse u konstatua edhe në rastin e bërë publik së fundi në Fier, dëshmon se këto rekomandime ose nuk janë marrë parasysh ose nuk janë konsideruar me seriozitetin e duhur nga autoritetet tona përgjegjëse.

Siguria dhe dinjiteti i fëmijëve, duhet kuptuar që është një çështje me rëndësi IMEDIATE dhe PËRPARËSORE në vendin tonë. Autoritetet tona duhet që më në fund të shfaqin dedikim të vërtetë dhe serioz për të zhdukur në mënyrë efikase çdo mundësi që fëmijët shqiptarë t’i nënshtrohet çdo lloj abuzimi në institucionet ku ata shkojnë të marrin akses në dije, e kudo tjetër. Kjo çështje nuk mund të konsiderohet luks, apo fakultative dhe ka nevojë për masa të shpejta, energjike dhe të menjëhershme.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur sërish një hetim për rastin e abuzimit seksual në shkollën “Jakov Xoxa” në Fier, në përfundim të të cilit do të jepen edhe rekomandimet përkatëse, por është e papranueshme që këto rekomandime të futen sërish nëpër sirtarë për t’u arkivuar atje si një tjetër veprim burokratik që justifikon thjesht funksionimin sipërfaqësor të mekanizmit shtetëror.

Avokati i Popullit tërheq për të disatën herë vëmendjen që konstatimet dhe rekomandimet që ky institucion u dërgon autoriteteve tona shtetërore, nuk shërbejnë thjesht për të krijuar korrespondencë shkresash, por janë thirrje për veprim, i cili nëse nuk vjen në kohën e duhur, rezulton në përsëritje të të njëjtave dukuri negative, si ajo që sapo u konstatua në Fier.