3 Shkurt 2020

Institucioni I Avokatit Te Popullit Informon Ne Lidhje Me Rastin E Vdekjes Se Nje Te Denuari Ne Burgun E Peqinit


INSTITUCIONI I AVOKATIT TE POPULLIT INFORMON NE LIDHJE ME RASTIN E VDEKJES SE NJE TE DENUARI NE BURGUN E PEQINIT

Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni nga mediat se shtetasi me inicialet A.M ka ndërruar jetë brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin.

Lidhur me këtë çështje, institucioni i Avokatit të Popullit, e vlerëson të nevojshme dhe të arsyeshme të informojë dhe sqarojë opinionin publik, për sa vijon.

Avokati i Popullit, në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues (MKPT), bazuar në nenin 19/1 të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ka realizuar në vazhdimësi inspektime/verifikime sa i takon kushteve të IEVP-ve në rang vendi. Për vitin 2019, MKPT ka rekomanduar në disa prej IEVP në rang vendi marrjen e masave për plotësimin e organikave të këtyre IEVP me mjek të përgjithshëm me kohë të plotë, si një domosdoshmëri pasi kjo ndikon në shëndetin dhe jetën e të dënuarve.

Konkretisht, ndër IEVP-të e inspektuara më datë 05.04.2019, është edhe IEVP Peqin. Në përfundim të këtij inspektimi, u konstatua mungesa e stafit mjekësor me kohë të plotë, pasi të 3 mjekët që kryenin këtë detyrë ishin me kontrata me kohë të pjesshme. Ata kryenin vizitat, sipas orareve të parashikuar në kontratat me institucionin, por nuk ishin prezent kur kishte shqetësime për shëndetin nga të dënuarit. Mungesa e mjekut me kohë të plotë, kishte sjellë për pasojë vonesa të përgjigjeve ndaj kërkesave për vizita mjekësore, si dhe për konsultat jashtë institucionit me mjekë specialiste në spitalin e rrethit.

Kjo problematikë i është bërë me dije IEVP Peqin si edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve duke rekomanduar: Marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e organikës të institucionit me 3 mjekë të përgjthshëm dhe mjek stomatolog me kohë të plotë, për t’ju përgjigjur nevojave dhe kërkesave të të dënuarve apo të paraburgosurve për vizita mjekësore dhe ofrimin e një shërbimi shëndetësor sa më cilësor.

Cilësia e shërbimit mjekësor ka qenë një problem i vazhdueshëm në sistemin tonë penitenciar dhe pozicioni i Avokatit të Popullit përmes raportimeve të vazhdueshme, ka shërbyer për vendimmarrje të rëndësishme në këtë fushë. Në këto raportime vihet theksi te shërbimi i përshtatshëm mjekësor dhe jo vetëm tek numri i mjekëve. Avokati i Popullit ndërkohë thekson se edhe vendimmarrja e Gjykatës së Strasburgut në lidhje me këto raste, shërben për evidentimin e problemeve strukturore në sistem si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e jo thjesht në masën e dëmshpërblimeve.