18 Tetor 2019

Avokati I Popullit Përshëndet Zgjedhjen E Anëtarit Të Parë Të Gjykatës Kushtetuese


AVOKATI I POPULLIT PËRSHËNDET ZGJEDHJEN E ANËTARIT TË PARË TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Pas betimit të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, z.Besnik Muçi, Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh mbështetjen dhe shpresën se më në fund ky institucion i rëndësishëm i shtetit shqiptar siç është Gjykata Kushtetuese do t'i rikthehet funksionit të vet normal në shërbim të demokracisë sonë.

Avokati i Popullit çmon se periudha e tejzgjatur në të cilën vendi u përball me mungesën e Gjykatës Kushtetuese efektive duhet të shërbejë për të nxjerrë mësim, në mënyrë që asnjëherë më vonë urgjenca të mos e diktojë maturinë.

Duke qenë edhe vetë një institucion i pavarur kushtetues, Avokati i Popullit nënvizon rëndësinë e pavarësisë për institucione si Gjykata Kushtetuese dhe shpreh besimin se vlerat e pavarësisë, paanësisë dhe profesionalizmit do të jenë kriteret e punës së anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate në përfundim të procesit të përzgjedhjes i cili më në fund është vënë në lëvizje.