17 Tetor 2019

Avokati I Popullit Organizon Me Sukses Në Tiranë Takimin E Rrjetit Të Ombudsmanëve Të Fëmijëve Në Europën Juglindore


AVOKATI I POPULLIT ORGANIZON ME SUKSES NË TIRANË TAKIMIN E RRJETIT TË OMBUDSMANËVE TË FËMIJËVE NË EUROPËN JUGLINDORE

U zhvillua sot në Tiranë nën organizimin e Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Save the Children, takimi tematik i rrjetit të Ombudsmanëve të Fëmijëve të Europës Juglindore.

Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnje Hercegovina dhe Serbia.

Gjithashtu të pranishëm ishin përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë, ligjvënës, aktivistë të shoqërisë civile etj.

Në adresimin e saj përshëndetës në japje të punimeve të takimit, Avokatja e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca u shpreh:

“Të nderuar pjesëmarrës, anëtarë të CRONSEE.
Të nderuar miq, kolegë dhe të ftuar!

Jam shumë e lumtur sot të shoh të pranishëm në këtë sallë, një pjesë të rëndësishme të atyre njerëzve të cilët përbëjnë në rajonin tonë të Europës Juglindore, pararojën e mbrojtësve më të zjarrtë të të drejtave të fëmijëve.

Si çdo kategori shoqërore, fëmijët në çdo cep të globit, përballen fatkeqësisht me armiqtë por u gëzohen edhe miqve e tyre, aleatëve dhe mbrojtësve që luftojnë për ta e në emër të tyre.

Ky komunitet i shkëlqyer kampionësh që e kanë kthyer çështjen e të drejtave të fëmijëve jo thjesht në obligim profesional por edhe në një vokacion shpirtëror, përbëhet sigurisht nga ata që njihen si Ombudsmanët e fëmijëve, por edhe nga armata e veprimtarëve të dalluar të shoqatave dhe grupimeve pro-fëmijëve, ligjvënësve, intelektualëve dhe punonjësve socialë anekënd botës.

Në një epokë ku kontradiktat janë ashpërsuar, ku është bërë përherë e më e vështirë të rreshtohesh në anën e më të dobëtit, të pafuqishmit e të pazëshmit, të jesh në krah të fëmijëve është sigurisht një detyrë heroike.

Të jesh hero nuk do të thotë vetëm të dhurosh spektakël, të marrësh pjesë në protesta për të drejtat civile apo të tërheqësh vëmendjen e medias me veshje apo deklarata kontroversiale.

Puna e ngadaltë dhe sistematike për ta transformuar inxhinierinë ligjore të shteteve tona, duke i kthyer të drejtat e fëmijëve në pjesë të sajën organike, edhe pse e heshtur dhe prozaike, mbetet në thelb një vepër madhështia e së cilës zor se do të fitojë brohoritje, por do të përjetohet pa u ndier përditë në të ardhmen.

Në këndvështrimin tim, këta njerëz që ia dedikojnë jetën dhe punën e tyre të drejtave të fëmijëve, janë vërtet heronj.

E shpreha në fillim, dua ta përsëris prapë, ndjej kënaqësi të madhe që një numër të madh prej këtyre njerëzve nga rajoni ynë i vogël por njëkohësisht i madh europianojuglindor po e identifikoj sot në këtë takim.

Pak javë më parë, kur m’u desh të adresoja me një fjalim të shkurtër Kombet e Bashkuara në një raportim për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, e vendosa në krye të listës çështjen e të drejtave të fëmijëve.

Nuk ka asgjë që ne bëjmë sot, që mund të ketë ndonjë vlerë reale nëse nuk e vendosim atë në kontekstin e së nesërmes. Kjo, miqtë e mi, do të thotë ta shikosh botën e sotme me sytë e fëmijëve tanë.

Në fund të fundit, pse e kryejmë këtë luftë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi? Përgjigjja është e thjeshtë: që shoqëria ku jetojmë të bëhet më e mirë, më e emancipuar dhe më e përparuar.

Mirëpo kujt do t’i trashëgohet ky zhvillim që duam të arrijmë sot? Pikërisht atyre që sot janë fëmijë e që nesër do të jenë zotët e botës ku jetojmë.

Tema e këtij takimi sot në Tiranë, është shumë domethënëse për mua dhe popullit të cilit i takoj, një popull i cili për dekada vuan nga hemorragjia e ikjes së rinisë së vet në emigracion.

Të drejtat e fëmijëve emigrantë nuk janë thjesht të drejtat e disa njerëzve si çdo njeri, të disa fëmijëve si çdo fëmijë tjetër. Këto janë të drejtat e më të tronditurve, më të munduarve dhe më të vuajturve mes fëmijëve që popullojnë sot qytetet dhe shtetet e zhvilluara të botës.

Emigranti në vetvete është një qytetar që për shkak të rrethanave bën pjesë në grupin e atyre që ekspozohen më shumë ndaj rrezikut të shkeljes së të drejtave. Kur ky emigrant është njëkohësisht edhe fëmijë, atëherë është e qartë se me çfarë kemi të bëjmë.

Të investohesh në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve emigrantë do të thotë të punosh që t’i japësh shoqërisë dhe shtetit ku jeton karakteristikat e një nëne e cila instiktin e vet amësor nuk e kufizon vetëm tek fëmijët e saj biologjikë.

Një vend pritës emigrantësh i cili i trajton fëmijët e të ardhurve me po atë dhembshuri e përkujdesje si edhe fëmijët e vendasve, është një vend që e meriton të konsiderohet pjesë e qytetërimit të zhvilluar të shekullit të 21.

Sigurisht presionet financiare, interesat ekonomike, trimërimi i lëvizjeve ksenofobe e çkamos tjetër mbeten barriera që e vështirësojnë ecjen tonë drejt idealit të një bote të vëllazëruar dhe me fytyrë humane për sot e për brezat që do të vijnë.

Lufta për t’i tejkaluar këto barriera është e vështirë por jo e pafitueshme. Prandaj gëzohuni miq. Sfidat e mëdha, u japin kuptim fitoreve të lavdishme. Sikurse duhet t’i kursejmë luftërat pa fitore, ashtu edhe duhet të dyshojmë tek fitoret pa luftë.

Ekzistenca e kundërshtarëve tanë, të paktën na jep sigurinë se luftën e kemi të siguruar. Por jemi të sigurt se në fund, ne gjithashtu edhe do të fitojmë, humanizmi do të fitojë dhe fëmijët do të fitojnë.

Ju faleminderit, dhe punë të mbarë!”.