2 Tetor 2019

Denoncimet Në Media Konfirmojnë Paralajmërimet E Avokatit Të Popullit


DENONCIMET NË MEDIA KONFIRMOJNË PARALAJMËRIMET E AVOKATIT TË POPULLIT

Opinioni publik është njohur ditët e fundit me një rast denoncimi për dhunë seksuale dhe bullizmi në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet.

Sikundër u transmetua në datën 30.9.2019, në emisionin investigativ “Fiks-Fare”, në televizionin kombëtar Top Channel, një minorene dhe nëna e saj kanë deklaruar, se gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, ndaj vajzës është ushtruar dhunë seksuale dhe bullizëm nga fëmijët e rrugës, të cilët janë sistemuar në këtë institucion nga NJMF-të.

Gjithashtu, për rastin në fjalë gazetarët e emisionin “Fiks Fare” kanë marrë informacione zyrtare edhe nga institucionet përgjegjese të tilla, si: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët kanë informuar se, për këtë çështje problematika qëndron tek mosngritja e shërbimeve të specializuara nga strukturat e pushtetit vendor.

Avokati i Popullit vëren se fatkeqësisht si edhe në raste të tjera analoge, edhe tani gjendemi përpara një situate të paralajmëruar nga ana e institucionit tonë, por të neglizhuar në vazhdimësi nga ana e autoriteteve përgjegjëse.

Seksioni i Mbrojtjes dhe Promovimit të të drejtave të Fëmijëve pranë Avokatit të Popullit ka ndërmarrë një inspektim në shtepinë e fëmijës “Zyber Hallulli” më 2017 dhe ka adresuar me rekomandimet e veta pikërisht çështje të cilat nëse do të ishin trajtuar me seriozitet ndoshta do ta kishin parandaluar këtë situatë e cila po denoncohet sot nga qytetarët.

Për të ilustruar se sa e nevojshme ka qenë ndërhyrja e autoriteteve tona përgjegjëse që më 2017 kur u krye inspektimi i Avokatit të Popullit, mund të rendisim disa nga rekomandimet që iu drejtuan këtyre institucioneve, gjegjësisht, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror dhe Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”:

- marrjen e masave për të përshpejtuar miratimin e draftplanit të veprimit të deinstitucionalizimit;
- nisjen e procesit të transferimit të Shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” në varësinë administrative të Bashkisë Tiranë;
- informimin e fëmijëve me të gjitha alternativat e tjera të shërbimeve publike dhe jopublike që ofrohen jashtë institucionit për të garantuar përfshirjen e tyre në vendimmarrje;
- marrjen e masave të nevojshme për të ulur kohë qëndrimin e fëmijëve në institucione, duke rishikuar praktikat e vendosjes në to, sikurse kërkohet në nenin 25 të Konventës së të drejtave të fëmijëve; etj.

Rekomandimet e adresuara nga institucioni i Avokati i Popullit janë pranuar nga institucionet përgjegjëse, por zbatimi i tyre në vazhdimësi dhe në kohë ka qënë subjektiv.

Rekomandimi kryesor, i cili bën të mundur parandalimin e fenomenit të dhunës në institucionet e përkujdesit social rezidencial për fëmijët dhe garantimin e respektimit të të drejtave të tyre në interesin më të lartë, adresuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, për ish Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, sot MSHMS, ka qenë dhe është marrja e masave për miratimin e planit të veprimit për deinstitucionalizimin.

Avokati i Popullit thekson se, institucionalizimi i fëmijëve sjell pasoja të rënda në zhvillimin mendor, fizik, psikologjik dhe social të fëmijës.

Autoritetet përgjegjëse duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të fuqizuar familjen për rritjen dhe mirërritjen e fëmijëve të tyre ose ofrimin e mundësive të kujdesit alternativ. Institucioni duhet të jetë alternativë e fundit për qëndrimin dhe rritjen e tyre. Është më se evidente rëndësia e fuqizimit të një sistemi të integruar për mbrojtjen e fëmijëve dhe rëndësia e zbatimit të planeve konkrete për ngritjen, financimin dhe funksionimin e shërbimeve mbështetëse për fëmijët dhe familjen.

Kjo, edhe në frymën e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, si dhe miratimit të legjislacionit të ri, për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve, konkretisht ligjit nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, si edhe të ligjit nr. 121/2016 “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.