25 Qershor 2019

Zhvillohet Me Sukses Konsultimi Mbi Ligjin Kunder Dhunes Ndaj Grave Dhe Vajzave


ZHVILLOHET ME SUKSES KONSULTIMI MBI LIGJIN KUNDER DHUNES NDAJ GRAVE DHE VAJZAVE

Bashkëpunimi i institucionit të Avokatit të Popullit me zyrën e UNDP në Shqipëri u kurorëzua sot me një tryezë konsultimi me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile veprimtare në këtë fushë, me qëllim shkëmbimin e mendimeve për një ligj të përgjithshëm të dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Kjo tryezë konsultimi, u organizua në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatohet nga UNDP, UN Women dhe UNFPA.

Përveç Avokates së Popullit të Shqipërisë Erinda Ballanca dhe përfaqësueses së UNDP Limya Eltayeb, në tryezë morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile veprimtare në këtë fushë, me qëllim shkëmbimin e mendimeve për një ligj të përgjithshëm të dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ndër të tjera u shpreh:

"Dhuna ndaj grave mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut sot në botë, të cilën e gjen në çdo shoqëri e në çdo nivel ekonomik apo social. Një dhunë e tillë konsiderohet një shkelje sistematike dhe e përhapur e të drejtave të njeriut, që kryesisht përjetohet nga gratë thjesht për faktin se ato janë gra.
Ajo shfaqet në shumë forma si: dhunë fizike, emocionale, psikologjike, përdhunime e ngacmime seksuale, etj. Një dhunë e tillë shpesh konsiderohet si një formë e krimit të urrejtjes e kryer kundër grave dhe vajzave vetëm se ato janë të tilla.
Dhuna mund të ndodhë në faza të ndryshme të jetës së një gruaje duke nisur që para lindjes, përmes abortit selektiv, gjatë fëmijërisë së vajzave, abuzimin apo martesën në moshë të hershme dhe shpesh herë të detyruar, trafikimin e fëmijëve vajza, dhe duke vazhduar në moshë madhore me dhunë intime, përdhunimin martesor apo vrasjet në emër të “nderit”.
Shumë forma të dhunës ndaj grave si trafikimi dhe prostitucioni i detyruar shpesh kryhen nga rrjetet e organizuara kriminale.
Dhuna pengon fuqizimin ekonomik të grave sepse e kufizon aftësinë e tyre për të punuar apo hapur një biznes. 
Kur një grua vuan nga abuzimi apo dhuna, shëndeti dhe mirëqenia e saj psikologjike janë të kërcënuara dhe aftësia e saj për të punuar dhe marrë pjesë aktive në jetën shoqërore dëmtohet. Nëse ajo nuk është në gjendje të punojë, detyrohet të jetë në pozita varësie si ekonomikisht ashtu edhe psikologjikisht, dhe në këtë mënyrë cikli i dhunës vazhdon. 
Vrojtimi më i fundit mbi dhunën në Shqipëri e publikuar nga INSTAT muajin e kaluar, tregoi se dhuna ndaj grave ndodh gjerësisht në vendin tonë. 1 në 2 apo 52,9% e grave të moshës 18-74 vjeç kanë përjetuar “ndonjëherë” një apo më shumë nga pesë llojet e ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre. 
Nga të dhënat e këtij vrojtimi doli se dhuna në familje, dhuna seksuale dhe ngacmimi janë probleme të mëdha për shoqërinë shqiptare. Mbrojtja ligjore është vendimtare për të luftuar fenomenin e dhunës. Rreth 81.9% e grave që morrën pjesë në këtë vrojtim besojnë se është shumë e rëndësishme që në Shqipëri të ketë ligje që mbrojnë gratë dhe vajzat nga dhuna, nga agresioni seksual dhe përdhunimi.
Por si paraqitet kuadri ligjor në Shqipëri? 
Në vendin tone ekziston një ligj i posaçëm për dhunën në marrëdhëniet familjare, i cili me amendimet e bëra në verën e vitit të kaluar, siguron një mbrojtje më të mirë për viktimat e dhunës në familje. 
Janë bërë ndryshime në Kodin Penal apo atë të Procedurave Penale, por jemi të vetëdijshëm se përmirësimi i Kodit Penal dhe parashikimi si krim, i disa prej formave të dhunës kundër grave, nuk është i mjaftueshëm. Nevojiten përpjekje shtesë për të trajtuar në mënyrë të qartë të gjitha format e dhunës ndaj grave.
Eshtë miratuar Kodi i të Drejtës Penale për të miturit, Ligji për “Ndihmën Juridike Falas”, Ligji “Për Strehimin Social” , të cilat ofrojnë mbështetje për gratë.
Po a janë të mjaftueshme këto ligje dhe a ofrojnë mbrojtje të grave dhe vajzave nga të gjitha llojet e dhunës? A kemi mjaftueshëm shërbime dhe mekanizma mbrojtës dhe mbështetës për viktimat e dhunës?
Mekanizmat kryesore për mbrojtjen nga dhuna MKR ofrojnë mbrojtje dhe mështetje vetëm për gratë viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare. Edhe ato janë të ngritura dhe funksionojnë jo në të 61 bashkitë e vendit.
Konventa e Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit), është traktati më i përparuar ndërkombëtar për të trajtuar te tilla shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Konventa synon të sigurojë tolerancë zero për këtë lloj dhune dhe është një hap i madh përpara për ta bërë Europën më të sigurt.
Konventa e njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë diskriminimi. Konventa është traktati i parë ndërkombëtar që përmban një përkufizim të gjinisë. Kjo do të thotë që tashmë njihet që gratë dhe burrat nuk janë thjesht qënie biologjike femërore apo mashkullore, por që ekziston një kategori sociale e gjinisë që përcakton rolet dhe sjelljet e grave dhe burrave.
Shqipëria ishte vendi i dytë anëtar i Këshillit të Europës që ratifikoi Konventën pa paraqitur asnjë rezerve dhe Konventa e Stambollit është pjesë e sistemit ligjor shqiptar nga data 1 gusht 2014.
Avokati i Popullit luan një rol shumë të rëndësishëm në ushtrimin e funksioneve të tij që lidhen me promovimin, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përfshirë dhe të drejtat e grave e vajzave si dhe për nxitjen e zbatimit të tyre në standartin më të lartë. 
Një rol të veçantë ka gjithashtu institucioni i Avokatit të Popullit dhe në monitorimin e zbatimit të Konventave të ratifikuara nga vendi ynë në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes së grave nga dhuna, si Konventa CEDAW apo Konventa e Stambollit. 
Për të dyja këto Konventa, Avokati i Popullit ka dhënë kontributin e tij në raportimet e fundit të cilat janë vlerësuar nga Komitetet respektive të ekspertëve, si dhe rekomandimet e tij janë përfshirë në rekomandimet përfundimtare të dhëna për shtetin. 
Në nëntor të 2017 komiteti i ekspertëve të Konventës së Stambollit – GREVIO paraqiti dhe raportin për masat legjislative dhe të tjera që zbatojnë dispozitat e Konventës së Këshillit të Europës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Rekomandimi i parë ishte: GREVIO u kërkon autoriteteve të vazhdojnë veprimet e tyre kundër dhunës kundër grave duke siguruar që masat e marra në përputhje me Konventën e Stambollit të adresojnë të gjitha format e dhunës kundër grave, në mënyrë tërësore dhe gjithëpërfshirëse. 
Hartimi i një ligji kuadër që të adresojë të gjitha format e dhunës ndaj grave në përputhje të plotë me rekomandimet e Konventës së Stambollit. 
Për të diskutuar e konsultuar për këtë ligj po organizojmë këtë tryezë sot, me përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile të cilat kanë një përvojë në këtë fushë. 
Jam shumë e interesuar të dëgjoj prezantimet nga profesoret e nderuara mbi përvojat legjislative të shteteve të tjera në këtë fushë si dhe mbi mundësinë e hartimit të një ligji të tillë në vendin tonë.
Shpresoj që diskutimet e sotme do të përfitojnë nga mendimet tuaja dhe këshillat mbi përmbajtjen e këtij ligji që do të pasohet besoj dhe me diskutime e konsultime edhe me grupe të tjera profesionistësh. Synimi është hartimi i një ligji sa më të mirë si hap i parë kritik dhe më e rëndësishmja, zbatim i suksesshëm i këtij ligji në praktikë për të siguruar mbrojtje për gratë.
Vetëm kur gratë dhe vajzat të jenë plotësisht të mbrojtur nga dhuna, do të jenë në gjendje të gëzojnë të njëjtën liri dhe mundësi si burrat.
Avokati i Popullit do të jetë gjithmonë i angazhuar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave si të drejta të njeriut!
Shpreh angazhimin tim personal për të qenë bashkë në të gjitha hapat që do të ndërrmeren si përmes lobimit ashtu edhe përmes fushatave të ndërgjegjësimit për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave e vajzave në Shqipëri".