Avokati I Popullit, Z. Endrit Shabani Takon Ambasadorin Britanik, Z. Nicholas Abbott. Fokus Te Të Drejtat E Njeriut Dhe Perspektiva E Të Rinjve Në Shqipëri
Ambasadori britanik shkon në zyrën e Avokatit të Popullit: Të rritet mbrojtja ndaj qytetarëve
Z. Shabani: Tu japim të rinjve perspektivë në atdhe, do të bëhemi zëri i të padëgjuarve
Avokati i Popullit zhvilloi sot një takim zyrtar me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Nicholas Abbott. Në qendër të diskutimit ishin situata e të drejtave të njeriut, forcimi i rolit të Avokatit të Popullit dhe vizioni për një institucion që garanton llogaridhënien dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Gjatë takimit, nga Avokati i Popullit u prezantua nevoja për të ndërhyrë me një perspektivë të qartë për t’u dhënë shpresë të rinjve shqiptarë, duke krijuar kushte që ata ta shohin të ardhmen e tyre në vend.
Gjatë takimit u diskutua për përpjekjet e përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve si një nga shtyllat e një shoqërie demokratike dhe të qëndrueshme.
Z. Shabani prezantoi vizionin e tij për modernizimin e institucionit të Avokatit të Popullit, duke premtuar një reformë që e pozicionon institucionin si mbrojtësin kryesor të qytetarëve që deri më sot janë ndjerë të padëgjuar.
Ambasadori Abbott konfirmoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për vizionin e paraqitur, duke vlerësuar rolin e Avokatit të Popullit si një gardian i dinjitetit njerëzor dhe sundimit të ligjit.
Takimi u përmbyll me një dakordësi për të intesifikuar partneritetin strategjik, duke u fokusuar në projekte që modernizojnë punën e Avokatit të Popullit dhe rrisin forcën e tij në mbrojtje të qytetarëve.