19 Qershor 2026

Avokati I Popullit Në Kuvend: Miratoni Minimumin Jetik, Askush S’Mund Të Jetojë Pa 220 Euro Në Muaj, Pronat Dhe Vonesat Gjyqësore Janë Problemet Kryesore Të Shqiptarëve


Avokati i Popullit në Kuvend: Miratoni minimumin jetik, askush s’mund të jetojë pa 220 euro në muaj, pronat dhe vonesat gjyqësore janë problemet kryesore të shqiptarëve

Avokati i Popullit, z. Endrit Shabani, raportoi sot përpara Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik për gjendjen e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2025. Në raportim ai evidentoi fushat me volumin më të lartë të ankesave nga qytetarët dhe shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut.

Minimumi jetik, borxhi më i vjetër social

Avokati i Popullit i kërkoi Kuvendit të miratojë sa më parë me ligj minimumin jetik, pragun nën të cilin asnjë qytetar nuk mund të jetojë me dinjitet, duke nënvizuar se Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që nuk e ka miratuar me ligj këtë prag.

“Shtatë vjet më parë institucioni ynë ishte institucioni i parë publik që llogariti pragun e minimumit jetik në Shqipëri. Që nga ajo kohë, me indeksimin e inflacionit, sot kufiri i varfërisë është 22 000 lekë në muaj për frymë. Përballë këtyre shifrave, realiteti i mbrojtjes sociale flet vetë. Ne ende kemi pensione nën 10’000 lekë në muaj apo ndihmë ekonomike nën 9 000 lekë në muaj, çka është më pak se gjysma e këtij minimumi jetik”,- tha Shabani.

“Rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pensioneve i përshëndesim, por mbeten masa të pjesshme për sa kohë nuk kemi një prag ligjor minimumi jetik. Këtu nuk po flasim për një zë në buxhet, por për një standard minimal që shteti u detyrohet qytetarëve të vet.  Pa një minimum jetik të miratuar me ligj, çdo pension dhe çdo ndihmë ekonomike do të vazhdojë të përcaktohet pa një pikë reference për dinjitetin njerëzor, duke i çuar qytetarët në varfëri ekstreme. Kjo situatë duhet të ndryshojë me ligj” - tha Shabani.

Fushat me ngarkesën më të lartë dhe shkeljet më të rënda

Në raportimin për vitin 2025, Avokati i Popullit evidentoi se ngarkesa kryesore mbetet te e drejta e pronës dhe administrata publike.

“Numri më i lartë i ankesave lidhet me të drejtën e pronës, që mbetet një nga plagët më të mëdha sociale dhe një nga testet më të vështira të një shteti demokratik. Nga njëra anë janë vonesat ekstreme të proceseve gjyqësore. Mjafton të përmend se Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm gjatë vitit 2025 shqyrtonte ende çështje të vitit 2018. Nga ana tjetër është sjellja e administratës publike, kryesisht Drejtoritë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit, ku problematikat prekin regjistrimin, legalizimin dhe kompensimin e pronës. Ka ende qytetarë që presin të kompensohen për përmbytjet e vitit 2011,”- u shpreh Avokati i Popullit.

Në përfundim të raportimit, Endrit Shabani i kërkoi Kuvendit shqyrtimin e projektligjit të ri organik për Avokatin e Popullit, duke kërkuar zgjerimin e mandatit të veprimit edhe në sektorin privat.