15 Maj 2026

Avokati I Popullit Nga Pogradeci: Reforma Territoriale Duhet Të Fuqizojë Familjen Shqiptare


AVOKATI I POPULLIT NGA POGRADECI: REFORMA TERRITORIALE DUHET TË FUQIZOJË FAMILJEN SHQIPTARE

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, Avokati i Popullit organizoi në Pogradec një forum diskutimi mes qytetarëve, pushtetit vendor, drejtuesve të institucioneve lokale dhe shoqërisë civile, ku mesazhi qendror ishte mbështetja që shteti duhet tu japë familjeve në periferi të vendit. 

Forumi u zhvillua me pjesëmarrjen e Prefektes së Qarkut Korçë Florinda Zegullaj, Kryetarit të Bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli, Kryetarit të Bashkisë Pustec Pali Kolevski, drejtuesve të institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Shabani e hapi fjalimin duke kujtuar se Pogradeci ka humbur afërsisht një të katërtën e popullsisë në 13 vitet e fundit, një sfidë demografike që kërkon vëmendje të veçantë nga politikat publike.

Reforma territoriale nuk është kalkulim demografik. Është vendim për të drejtat e njeriut. Çdo vijë e re që do të vizatohet në hartë, do të prekë jetët e familjeve shqiptare në Velçan, Buçimas dhe Pustec. Dhe metri matës i kësaj reforme është a po e sjell shtetin më afër apo më larg këtyre familjeve”,-deklaroi Shabani.

Avokati i Popullit ngriti gjithashtu çështjen e formulës së financimit të bashkive, e cila lidhet me numrin e banorëve. 

Sipas tij, kjo formulë duhet rishikuar paralelisht me reformën territoriale, që bashkitë me popullsi në rënie të mos lihen pa burimet që u nevojiten për shërbime publike cilësore.

Shabani solli në vëmendje se Avokati i Popullit është i vetmi institucion në Shqipëri që ka llogaritur minimumin jetik, dhe theksoi se mbështetja për familjet nuk matet vetëm në para, por edhe me shërbime publike falas.

Nëse bashkia ofron më shumë shërbime falas, apo nëse luftojmë korrupsionin, qytetari do shpenzojë më pak nga xhepi. Kjo mund të kontribojë për ta sjellë ndihmën ekonomike në nivelin e minimumit jetik, që shtetasit tanë, jo vetëm të dalin nga varfëria por të jetojnë me dinjitet”, tha Shabani.

Prefektja Zegullaj theksoi se sfida e administratës moderne nuk është vetëm efiçenca procedurale, por humanizimi i institucioneve, sidomos në raport me familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe të moshuarit e vetmuar.

Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, propozoi rishikimin e skemës së ndihmës ekonomike drejt një modeli të ri që integron pagë minimale për ata që janë vërtet në nevojë, e gërshetuar me punë publike nga përfituesit. 

Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolevski, theksoi se “forca e një shoqërie matet me mënyrën se si ajo trajton njerëzit në nevojë”.

Si hap konkret pas forumit, Avokati i Popullit njoftoi se do të paraqesë në Kuvend një opinion të posaçëm për dimensionin e të drejtave të njeriut në reformën territoriale, një dimension që sot mungon në debatin publik.

Forumi vijoi me një bashkëbisedim mes Avokatit të Popullit dhe qytetarëve të Pogradecit, si dhe një panel me përfaqësues të shoqërisë civile.

Pogradeci, Pusteci, Devolli kanë nevojë për shtet, jo për bamirësi. Pasuria e këtij rajoni nuk është vetëm liqeni i Ohrit, por edhe bashkëjetesa ndëretnike”, përfundoi fjalën e tij Shabani.

Të pranishëm në forum, veç drejtuesve rajonalë të institucioneve, ishin deputetët e zonës, kryetari i këshillit të qarkut Korçë dhe kryetarja e këshillit bashkiak Pogradec.