Avokati Popullit Në Bruksel Takohet Me Sekretaren E Përgjithshme Të E.N.N.H.R.I
Avokati i Popullit, Z. Endrit Shabani, ka nisur një tur vizitash zyrtare në institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel. Kjo axhendë takimesh ka në qendër rolin që Avokati i Popullit do të luajë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në këtë kuadër, Z. Shabani, i cili mban edhe detyrën e Presidentit të Rrjetit të Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM), zhvilloi takimin e parë me Sekretaren e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (ENNHRI), znj. Debbie Kohner.
Gjatë bisedës, Znj. Kohner shprehu angazhimin e ENNHRI-it, një rrjet që bashkon mbi 50 Avokatë të Popullit në mbarë Evropën, për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian. Kjo mbështetje ka në thelb fuqizimin e rolit të Avokatit të Popullit për të monitoruar shtetin e së drejtës, forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e hapësirës qytetare.
Në përfundim të takimit, Z. Shabani falënderoi znj. Kohner për mbështetjen dhe e siguroi se Avokati i Popullit do të vazhdojë të jetë një aktor proaktiv brenda rrjetit evropian dhe rikonfirmoi vendosmërinë e institucionit për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të qytetarëve përgjatë këtij procesi transformues siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropianë.