1 Nëntor 2026

Avokati I Popullit Thekson Se Përdorimi I Forcës Nga Policia Duhet Të Përdoret Vetëm Kur Është I Domosdoshëm, I Ligjshëm Dhe Proporcional. Ky Standard Vlen Për Çdo Protestë.


Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga policia duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional. Ky standard vlen për çdo protestë.

Protesta përpara Ministrisë së Arsimit filloi rreth orës 12:00 të së shtunës, 31 tetor 2026. Rreth një orë më vonë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Kostatuam përdorimin e gazit lotsjellës dhe të ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë.

Grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4 dhe mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6.
Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë.
Dy të miturit në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe familjet e tyre u njoftuan. U konstatua sërish se në këtë komisariat nuk ka sistem audioviziv për regjistrimin e intervistave.

Për në vijim Avokati i Popullit rekomandon:

 • Verifikim të plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion.
 • Instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave.
• Dokumentimin e arsyeve konkrete për çdo shoqërim, dhe informimin e çdo të ndaluari për arsyet e ndalimit. 
• ⁠Identifikimin e çdo punonjësi të policisë në çdo kohë duke garantuar që uniforma përmban numrin e identifikimit.

Avokati i Popullit fton çdo person, i cili beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit, t'i drejtohet institucionit me ankesë individuale.

Na kontaktoni:
Blv. “Zhan D’Ark”, Nr. 2, Tiranë
Tel: 04 2 380 300, 068 903 4648
Email: ap@avokatipopullit.gov.al