27 Shtator 2025

Avokatja E Popullit Diskuton Rolin E Institucioneve Kombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut Në Procesin E Zgjerimit Të Be-Së


Avokatja e Popullit diskuton rolin e institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut në procesin e zgjerimit të BE-së

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë në Dialogun e Nivelit të Lartë të ENNHRI (Rrjetit Evropian të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut) me temë: “Mbrojtja e të Drejtave Themelore, Sundimit të Ligjit dhe Demokracisë në një Bashkim Evropian në Zgjerim: Roli i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut”, ku diskutimet u përqendruan në rolin e këtyre institucioneve në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Gjatë këtij aktiviteti, mes personaliteteve të larta të BE-së dhe Këshillit të Evropës, mbajti fjalën e saj edhe Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, e cila theksoi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një rrugëtim kompleks që kërkon përputhje të plotë me të gjithë legjislacionin, rregullat dhe standardet e BE-së, forcim të kapaciteteve institucionale dhe zbatim efektiv të normave evropiane.

Në këtë kuadër, Avokatja e Popullit bëri me dije se institucioni që ajo drejton ka vepruar si zë i pavarur për të mbrojtur të drejtat themelore, për të garantuar hapësirën civile dhe për të ndihmuar në përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së, duke fituar vlerësim pozitiv nga raportet ndërkombëtare.

“Përmes ndërhyrjeve konkrete për lirinë e shprehjes, për respektimin e të drejtave procedurale dhe për trajtimin e barabartë të qytetarëve, institucioni ka treguar se mbetet mbrojtësi i fundit kur sistemi dështon. Duhet të mbajmë në vëmendje tre mësime shumë me vlerë: të ruajmë pavarësinë çdo ditë përmes transparencës dhe profesionalizmit; të këmbëngulim në ndjekjen e rekomandimeve duke përdorur kuadrot ndërkombëtare për t’i forcuar ato; dhe të qëndrojmë pranë qytetarëve, sidomos më të pambrojturve, sepse besimi i publikut është burimi më i fortë i legjitimitetit”, u shpreh znj. Ballanca.