7 Tetor 2025

Avokati I Popullit Uron Vitin E Ri Akademik Dhe Sjell Një Shembull Të Ndikimit Institucional Në Arsim


Avokati i Popullit uron vitin e ri akademik dhe sjell një shembull të ndikimit institucional në arsim

Në nisje të këtij viti të ri akademik, Avokati i Popullit uron çdo student dhe pedagog për suksese, frymë kërkimi dhe përkushtim.

Le të jetë ky vit një nxitje për të gjithë të rinjtë që të mos ndalen vetëm te diploma, por të bëjnë të pamundurën që dituria, energjia dhe pasioni i tyre të kthehen në kontribut për vendin.

Në këtë ditë të rëndësishme për studentët, pedagogët dhe gjithë komunitetin akademik, institucioni i Avokatit të Popullit sjell në vëmendje një nga rastet që dëshmon fuqinë e dialogut dhe të ndërhyrjes institucionale në mbrojtje të së drejtës për arsim.

Një rast i trajtuar nga Avokati i Popullit, që lidhej me mosnjohjen e një diplome të marrë në format online pranë një universiteti të huaj, krijoi rrugën për një zgjidhje me ndikim të përgjithshëm.

Në vijim të rekomandimit tonë, Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore kanë reflektuar duke bërë ndryshimet përkatëse në Udhëzimin nr. 21, datë 15.10.2021. Me këto ndryshime, tashmë lejohet njohja e diplomave të fituara në programe studimi online, në përputhje me dokumentacionin zyrtar dhe standardet ndërkombëtare.

Ky është një shembull i qartë se si një rast individual mund të kthehet në një zgjidhje sistemike, duke garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.