8 Tetor 2025

Avokatja E Popullit Në Dëgjesës Publike Mbi Raportin Vjetor Të Veprimtarisë Për Vitin 2024


Avokatja e Popullit në dëgjesës publike mbi Raportin Vjetor të Veprimtarisë për vitin 2024

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, prezantoi në një dëgjesë publike Raportin Vjetor të Veprimtarisë për vitin 2024, në mbledhjen e përbashkët të Komisioneve Parlamentare për të Drejtat e Njeriut dhe për Nismat Qytetare.

Në nisje të raportimit, znj. Ballanca u ndal te ngjarja e rëndë e një dite më parë, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja.

“Jemi tronditur nga kjo ngjarje,” u shpreh ajo, duke theksuar se përtej aktit kriminal, ngjarja duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim mbi gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe mbi mbështetjen që u jepet atyre që e mbajnë atë në këmbë.

Znj. Ballanca vuri në dukje se gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri përballen me mbingarkesë të madhe, mungesë burimesh dhe stres profesional të lartë.

“Edhe ne e kemi ngritur zërin, por nuk ia kemi dalë të jemi ndihmë për këtë kategori profesionistësh që kanë kaluar një stres të jashtëzakonshëm pas ndryshimeve në sistem, veçanërisht për shkak të ngarkesës me dosje.”

Ajo vuri në dukje se referuar të dhënave deri në fund të vitit 2024, Shqipëria ka patur 9,8 gjyqtarë aktivë për çdo 100 mijë banorë, ndonëse numri i parashikuar në organikë është 14,9 gjyqtarë për 100 mijë banorë, dhe mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian është 21,9 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Kjo tregon qartë se sistemi ynë funksionon me një kapacitet shumë të ulët krahasuar me standardet evropiane.

“Duhet të kthehemi tek mbështetja e gjyqtarëve dhe kushteve të tyre të punës, që nuk lidhen vetëm me pagën dinjitoze, por me gjithë mjedisin profesional e institucional ku ata punojnë.”

Në vijim, Avokatja u ndal në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke theksuar se qëllimi i vërtetë i këtyre vendimeve nuk është vetëm dëmshpërblimi financiar, por marrja e masave strukturore që garantojnë mos përsëritjen e shkeljeve.

“Në Shqipëri shpesh kuptohet vetëm aspekti monetar i vendimit, por thelbi është në korrigjimin e mekanizmave institucionalë që çojnë në shkelje,” u shpreh ajo.

Të ndërlidhur ngushtë me këtë çështje, Avokatja e Popullit kërkoi rishikimin e ligjit për shpronësimet, sigurimin e fondeve përpara dhënies së vendimit dhe më shumë transparencë nga Avokatura e Shtetit, për raportuar periodikisht në Kuvend për ecurinë e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së.

Një tjetër çështje e theksuar ishte reforma në drejtësi dhe harta e re gjyqësore, për të cilën Avokatja rikujtoi qëndrimin e hershëm të institucionit.

“Ne kemi qenë kundër që në fillim, sepse reduktimi i numrit të gjykatave nuk e zgjidh ngarkesën e sistemit. Përkundrazi, është perceptuar si pamundësi për të marrë drejtësi, dhe kjo mund të çojë deri në vetëgjyqësi,” u shpreh ajo, duke kërkuar shtimin e numrit të gjyqtarëve dhe të gjykatave për të siguruar akses më të gjerë për qytetarët.

Në përfundim, znj. Ballanca theksoi se reforma në drejtësi duhet të vijojë, por me fokus tek njerëzit që e mbajnë sistemin gjallë: “Çdo reformë duhet të matet me mënyrën si ndikon te njeriu që mban peshën e drejtësisë — jo vetëm me strukturat që krijon, por me besimin që rikthen.”