Avokati I Popullit Dhe Homologu I Malit Të Zi Nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi: Kanal I Drejtpërdrejtë Për Ankesat E Qytetarëve Në Të Dyja Anët E Kufirit
Tiranë, 8 tetor 2026- Avokati i Popullit, z. Endrit Shabani, dhe Mbrojtësi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Malit të Zi, z. Siniša Bjeković, nënshkruan sot në Tiranë një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi.
Gjatë vizitës, dy delegacionet u pritën edhe nga Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj.
Marrëveshja mes dy vendeve krijon një kanal të posaçëm komunikimi dhe pika kontakti në secilin institucion. Ankesat e shtetasve dhe rezidentëve ndaj autoriteteve publike të vendit tjetër do t'i përcillen drejtpërdrejt institucionit homolog, i cili i trajton sipas kompetencave të veta.
"Qytetari që has një problem me administratën përtej kufirit shpesh nuk di ku të drejtohet. Kjo marrëveshje i jep një adresë. Për dy vende që negociojnë anëtarësimin në BE, ky është bashkëpunim praktik, jo ceremonial",-tha z. Shabani.
“E shohim këtë bashkëpunim si një mundësi për të forcuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane dhe për të kontribuar, përmes mandateve tona përkatëse, në avancimin e mëtejshëm të të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike në rrugën drejt anëtarësimit në BE",-tha z. Bjeković.
Fushat prioritare janë të drejtat e fëmijëve, parandalimi i torturës, mosdiskriminimi, të drejtat e pakicave kombëtare, të drejtat e migrantëve e diasporës, mbrojtja e mjedisit dhe të drejtat digjitale.
Delegacionet shkëmbyen përvoja mbi punën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) dhe angazhimin në rrjetet ENNHRI, GANHRI dhe IOI.
Marrëveshja pason atë trepalëshe me institucionet homologe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe është pjesë e bashkëpunimit rajonal të institucioneve të Ombudsmanit në Ballkanin Perëndimor. Z. Shabani kryeson edhe Shoqatën e Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), ku Mali i Zi synon të aderojë së shpejti.
Synimi është edhe që, së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Avokatët të publikojnë një raport vjetor të përbashkët për gjendjen e të drejtave të njeriut në rajon.