9 Korrik 2020

Fjala E Avokates Së Popullit Erinda Ballanca Gjatë Prezantimit Të Raportit Vjetor Në Kuvendin E Shqipërisë


FJALA E AVOKATES SË POPULLIT ERINDA BALLANCA GJATË PREZANTIMIT TË RAPORTIT VJETOR NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit.
Të nderuar deputetë!

Është kënaqësi për mua t’i shoh përfaqësuesit e popullit që përmes interesit për prezantimin e Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit, tregojnë perkushtimin e tyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Jetojmë në kohë të vështira. Por janë veçanërisht kohë të tilla që i ndihmojnë njerëzit të harrojnë dasitë e të shtrëngojnë radhët, të shpërfillin diferencat e të theksojnë të përbashkëtat.

Periudha të rënda për njerëzimin, si luftërat apo fatkeqësitë e mëdha, kanë qenë bazë për fitore thelbësore të drejtash civile e për themelime konsensusesh mbi të cilat ngrihet sot i gjithë konstruksioni demokratik ku jeton shoqëria moderne.

Konsensusi pra, ai që prevalon atëherë kur shoqëria vihet në provë, nuk qenka një zeje e së pamundurës, por një teknologji e së domosdoshmes. Shoqëri si e jona, të cilat për shkak të rrethanave e historisë, përjetojnë një gjendje anormaliteti permanent, duhet ta kenë kësisoj konsesusin e ujdinë, një bukë të përditshme e një refren të pamungueshëm. Na duhet konsensusi shoqëror për shumëçka e kurdoherë, mirëpo le ta kërkojmë atë e le të priremi drejt tij, sidomos në këto kohëra krizash të njëpasnjëshme që i janë mbivendosur trishtimit të zgjatur 30 vjeçar të popullit tonë për demokracinë ende të papjekur e ekonominë ende të pafuqishme e të cilat ne, të gjithë si shtetarë, si operatorë të këtij mjeti të mrekullueshëm i cili quhet shtet, nuk kemi arritur ende t’ua ofrojmë.

Çfarë kanë kërkuar prej nesh qytetarët? Kanë kërkuar ta bëjmë Shqipërinë një vend europian e gjithashtu kanë kërkuar që të kthejmë besimin te drejtësia dhe tek shteti. Në dukje koncepte të thjeshta, këto dy aspirata implikojnë operacione të ndërlikuara. Mjafton të shohim rezultatin e tyre e të kuptojmë përmasën reale të zhgënjimit të qytetarëve e nevojën që ne të ndryshojmë qasje, filozofi, praktikë e zbatim. Sa më parë ta kuptojmë e të nisim të ndryshojmë, aq më mirë e më ndershëm do të jetë për raportin tonë me vendin e njerëzit tanë së pari e Europën ku mëtojnë të shkojmë së dyti.

Gjithsesi ju falënderoj që në këto ditë kaq problematike, patët mirësinë të merrni në duar Raportin Vjetor të institucionit të Avokatit të Popullit të cilin po ua prezantoj sot. Prezantimi para Kuvendit për institucionin tonë, është praktikisht një proces llogaridhënieje të cilin ne e respektojmë plotësisht, pasi besojmë se vetëm një sistem i ndërthurur dhe gjithëpërfshirës llogaridhënieje është garancia për të realizuar synimin tonë: ndërtimin e një demokracie të vërtetë funksionale, aspiratë të cilën qytetarët tanë e shprehin prej 30 vjetësh.

Viti që lamë pas ishte i pari vit kur Avokati i Popullit më në fund, edhe me mbështetjen e Kuvendit arriti ta plotësojë nivelin e lartë drejtues të tij me 5 komisionerë. Ky hap i rëndësishëm dha frytet e tij në rritjen sasiore dhe cilësore të numrit të rekomandimeve të nxjerra per te adresuar ankesat e paraqitura ne Institucionin tonë.

Gjatë vitit 2019 ne shqyrtuam 4171 ankesa. Nga këto, 1384 janë cilësuar si ankesa “brenda juridiksionit dhe kompetencës”, ndërsa 2327 janë trajtuar në formën e këshillimeve mbi rrugët ligjore që duhet të ndjekin qytetarët për trajtim të mëtejshëm.

Për periudhën janar-dhjetor 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit ka adresuar në total 213 rekomandime (15.1% më shumë se në vitin 2018) drejtuar organeve të Administratës Publike duke përfshirë ato qendrore dhe vendore.
Niveli i pranueshmërisë dhe zbatueshmërisë të këtyre rekomandimeve është si vijon:

✓ 134 rekomandime ose 63% e tyre janë pranuar ( 33 prej rekomandimeve të pranuara, ose rreth 25% e tyre, kanë gjetur zbatim të plotë; 89 prej rekomandimeve të pranuara, ose rreth 66% e tyre kanë gjetur zbatim të pjesshëm; 12 prej rekomandimeve të pranuara, ose rreth 9% e tyre nuk janë zbatuar)
✓ 21 rekomandime ose 10% e tyre janë refuzuar;
✓ 8 rekomandime ose 4% e tyre janë pa përgjigje;
✓ 50 rekomandime ose 23% e tyre në proces.

Në krye të listës së problemeve të të drejtave të njeriut në insitucionin tonë është mungesa e një sistemi efektiv drejtësie për të garantuar të drejtat e njeriut. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese efektive dhe mungesa e një Gjykate të Lartë efektive, kanë qenë probleme thelbësore në garantimin e të drejtave të njeriut në vend. Per kete edhe institucioni yne bashkon zërin me Kuvendin e Republikes se Shqiperise per nje zbatim sa me te shpejte të gjithë objektivave të reformës në drejtësi.

Zbatimi i kesaj reforme është një prioritet kombëtar që duhet të sjellë rezultatet qe ne I kemi frymesuar me se miri ne ndryshimet kushtetuese dhe paketen ligjore perkatese: kthimi I besimit tëpublikut ne sistemin e drejtesise, duke u garantuar atyre te gykohen me drejtesi e nga gjyqtare te pa infektuar nga ndikime te cfaredolloji dhe natyre.

Respektimi i të drejtave të personave të privuar nga liria, mbetet në fokus të punës sonë.

Lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga organet e Policisë së Shtetit, vërehen me raste problematika të cilat lidhen kryesisht me keqtrajtime psikologjike ose fizike në momentet e arrestimit, shoqërimit apo gjatë marrjes në pyetje në organet e policisë; trajtim jo human e dinjitoz në mjediset e organeve të policisë kryesisht per shkak te kushteve te vendeve te ndalimt, por edhe disa shoqërime të paligjshme apo mbajtje në gjendje shoqërimi tej afatit ligjor; mos-marrje, mos-administrim ose mos-ndjekje e kallëzimeve apo ankesave të bëra prej tyre; cenim i ushtrimit lirisht të të drejtës kushtetuese të tubimeve; dëmtim i shëndetit të qytetarëve nga gazi lotësjellës i hedhur gjatë tubimeve, apo me raste probleme me proporcionalitetin e nderhyrjes policore.

Nga inspektimet e kryera ne Institucionet e Vuajtjes se Vendimeve Penale janë konstatuar problematika emergjente infrastrukturore në pjesën më të madhe të tyre; mbipopullim ne disa prej tyre dhe fatkeqesisht edhe aty ku kushtet jane teper te veshtira. Mungesa e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor për strehimin dhe trajtimin e personave që kanë marrë nga gjykata masën “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” ka bere qe Shqiperia te penalizohet perseri per shkelje te konventes europiane te te drejteva te njeriut per shkak se keta persona vuajne ne kushte degraduese dhe me e keqja mbipopullimi te frikshem ne Burgun e Zaharise ne Kruje.Pas raportimit tim te trete per kete fakt dhe pas raportimit te Insititucionit te Avokatit te Popullit per 15 vite radhazi ne kete salle, uroj qe te mos kemi me dhimbjen e bashkuar ne pafuqi sfilitese per te gjetur nje zgjidhje per keta persona. Per sivjet mund te them se fatkeqesisht gjendja e tyre eshte perkeqesuar per shkak te mbipopullimit.

Për të siguruar një administrim të mirë të Sistemit penitenciar duhet të tregohet kujdes gjithashtu në rekrutimin e trajtimin e personelit duke u garantuar atyre kushte pune dhe kompensim financiar te pershtatshem.

Garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, veçanërisht të drejtës së pronës, përgjatë viteve, ka vijuar të krijojë problematika të cilat kanë shkelur midis të tjerave të drejtën e pronësisë. Organe të caktuara publike, nuk kanë zhvilluar në mjaft raste veprimtarinë administrative në përputhje me parashikimet e bëra në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Në praktikën tonë administrative, sërish vijojmë të konstatojmë problematika dhe sfida, që lidhen me zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Këto problematika dhe sfida lidhen me nevojën e ngritjes së shërbimeve të reja në ndjekje të dinamikës së nevojave të fëmijëve; përfundimin e reformës së deinstitucionalizimit të fëmijëve; hartimi i politikave gjithëpërfshirëse sociale në nivel vendor; mungesën e buxheteve për garantimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës; fuqizimin e mekanizmave shtetërorë përgjegjës që garantojnë realizimin efektiv të mbikëqyrjes, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës etj.

Institucioni i Avokati të Popullit vlerëson për vitin 2019 se gjendja aktuale e të drejtave dhe lirive të grave dhe vajzave në Shqipëri megjithe masat emarra ne nivel legjislativ, karakterizohet nga problematika të mprehta, sidomos në drejtim të pësimit të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, aksesit në drejtësi, punësimit dhe ofrimit të shërbimeve sociale.

Ndihma aktuale ekonomike është e pamjaftueshme për të adresuar nevojat e grupeve në nevojë në tërësi dhe vecanërisht ato të grave kryefamiljare, grave rome, apo atyre nga grupe të tjera vulnerabël, si dhe të viktimave të dhunës në familje apo viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore. I pajustifikueshëm është mos përcaktimi ende i një minimumi jetik.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, vijojne te garantohen ne nivel te mesem dhe ende nuk arrihen objektivat e vena me ligj per te garantuar per ta nje jete pa barriera shtese e punesim.

Në qasjen e institucionit të Avokatit të Popullit, parimi, mbi të cilin duhet të mbështetet funksionimi i sistemit të kujdesit shëndetësor është cilësia e shërbimit dhe efiçenca, duke garantuar sigurinë e pacientit. Problematike mbeten: trajtimi mjekësor jo në përputhje me standardet, burokraci lidhur me radhët e pritjes në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mungesa në medikamente, mungesa e protokolleve mjekësore, mungesa e mjekëve dhe infermierëve në spitalet rajonale dhe zonat rurale, etj.

E drejta për arsim është një nga të drejtat më të rëndësishme të njeriut zbatimi cilesor I te ciles garanton te ardhmen e shoqerise sone. Gjatë vitit në raportim janë evidentuar probleme që lidhen me mospërjashtim nga tarifat e studimit të kategorive të studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, probleme administrative nga stafi i universiteteve dhe punonjësve të administratës, punësime dhe pretendime për shkelje të barazisë për t’u punësuar ose transferuar nga portali “Mësues për Shqipërinë”, etj.

Një nga komponentët bazë të demokracisë është qeverisja e mirë që nënkupton një administrim të mirë. Nuk mund të ketë qeverisje të mirë kur administrata publike nuk i respekton të drejtat e njeriut. E drejta për administrim të mirë është pjesë e të drejtave të qytetarëve. Eshtë në tagrin kushtetues të institucionit të Avokatit të Popullit që në përmbushje të funksioneve të tij të jetë në gjendje ta bëjë administratën publike më të ndjeshme ndaj opinionit publik dhe më të përgjegjshme ndaj kërkesave për drejtësi dhe besueshmëri.

Gjithnjë e më në rritje është kërkesa e qytetarëve për të pasur e kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit apo qëndrimin e tij institucional në lidhje me çështje me interes të lartë publik. Kjo është një përgjegjësi të cilën mundohemi ta ushtrojmë e realizojmë me sa të mundemi pavarësisht kapaciteteve tepër të kufizuara që kemi.

Mbetet e domosdoshme mbështetja njerëzore dhe financiare për të garantuar që institucionet publike të veprojnë në përputhje me standardet dhe aktet kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut. Shtoj se vitin e kaluar institucion i ynë hyri në procesin e ri-akreditimit për statusin A dhe një ndër kriteret vlerësuese që mbahet parasysh në procesin e akreditimit është edhe mbështetja e përshtatshme financiare nga buxheti i shtetit në një shkallë të tillë që të mundësojë realizimin gradual dhe progresiv të aktiviteteve të institucioneve kombëtare, në funksion të përmbushjes së mandatit të tyre.

Të nderuar deputetë, sa më sipër ishte vetëm një përmbledhje e përgjithshme e çështjeve që do të gjeni të detajuara në Raportin Vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit, të cilin jam e bindur, e keni studiuar me hollësi.
Ju faleminderit per vemendjen.