16 Janar 2023

Reagim Pas Rekomandimeve Të Avokatit Të Popullit – Ndryshon Rregullorja E Maturës Shtetërore


REAGIM PAS REKOMANDIMEVE TË AVOKATIT TË POPULLIT – NDRYSHON RREGULLORJA E MATURËS SHTETËRORE

Avokati i Popullit ka arritur me sukses të ndikojë në plotësimin e një prej rekomandimeve të tij më të rëndësishme që lidhen me interesin e një numri të madh qytetarësh, atë për rishikimin e Rregullores së Maturës shtetërore, për të mundësuar të drejtën e maturantëve për ankimim ndaj vlerësimit, e drejtë kjo që ishte tërësisht e shpërfillur me rregulloret e dekadës së fundit.

Avokati i Popullit nisi një seri rekomandimesh për këtë çështje, pas një ankese të mbërritur nga Znj. Gentiana Qendro, si dhe të referuar edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për t’u shqyrtuar nga një institucion më i specializuar siç është Avokati i Popullit.

Pas një analize tërësore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi, është konkluduar se pika 11, e nenit 26, të Rregullores së deritanishme “Për Zhvillimin e Maturës Shtetërore në Republikën e Shqipërisë” e cila mohon shprehimisht të drejtën e kandidatëve për të bërë ankim, përbënte një shkelje të të drejtave të nxënësve. Rezultatet e Maturës Shtetërore përbëjnë një nga elementët për të vijuar me aplikimin për studimet e larta.

Parashikimet e pikës 11 të Nenit 26 të Rregullores së sipërcituar, bien ndesh dhe në kundërshtim të hapur edhe me parashikimet e ligjit Nr 69/2012, "Për sistemin e arsimit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë". Konkretisht ky ligj mbron parimet themelore dhe të përgjithshme, ndër to shprehimisht edhe të drejtën e ankimit.

Në rregulloren e miratuar çdo vit me Urdhër të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ishte përjashtuar mundësia e rivlerësimit çka përbën mohim të së drejtës së ankimit, si një e drejtë themelore për maturantët të cilët mund të ndodhen para rasteve të cënimit të të drejtave të tyre. Rivendosja e të drejtës dhe rregullimi i situatës së krijuar nga parregullsitë apo gabimet potenciale nuk ishte e mundur për shkak të parashikimit mohues të kësaj të drejte. Maturantët deri tani kishin të drejtë të kërkojnë vetëm fotokopje të provimit në përfundim të të gjitha provimeve dhe nuk mund të kërkonin rivlerësim të testit referuar nenit 26, pika 11.

Sa më sipër AP i rekomandoi Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Ekonomisë e Financave si më poshtë vijon:

(i) Marrjen e masave të menjëhershme për ndryshimin e pikës 11 të nenit 26, të Rregullores “Për Zhvillimin e Maturës Shtetërore në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me Urdhrin nr.108, dt.04.03.2022, e cila ndalon të drejtën e ankimit,

(ii) Garantimin e së drejtës efektive të ankimit për rezultatet e testimit dhe për informimin e maturantëve në lidhje me këtë çështje.

Avokati i Popullit gjen rastin të shprehë mbështetjen për MAS për rishikimin e rregullores së Maturës Shtetërore si dhe konsultimet me grupet e interesit si nxënës, mësues e prindër si dhe bashkëpunimin me institucionin e Avokatit të Popullit si dhe shprehim mirënjohjen për pranimin dhe zbatimin e këtij Rekomandimi pasi në Rregulloren e maturës shtetërore 2022-2023 “E drejta e ankimimit”, u përfshi në nenin 27 të kësaj rregulloreje.