Avokati I Popullit Me Ambasadoren E Zvicrës: Mbrojmë Të Drejtën Për Protestë, Rekomandime Për Policinë Për Përdorimin E Forcës
Avokati i Popullit, Endrit Shabani priti sot në zyrë ambasadoren zvicerane, Siri Walt.
Pasi i uroi asaj suksese në detyrë, z. Shabani e njohu ambasadoren me sfidat e institucionit, nga prioriteti për një digjitalizim tërësor të proceseve, deri tek përpjekjet për të rritur zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Në këtë kontekst, z. Shabani i propozoi ambasadores Walt që Zvicra, si donatore e rëndësishme në Shqipëri, ta konsiderojë zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit si një indikator për të financuar ose jo projekte për bashkitë apo institucionet qeverisëse.
Z. Shabani dhe znj. Walt diskutuan edhe për protestat e fundit në vend. Avokati i Popullit e siguroi ambasadoren se institucioni mbetet i angazhuar për të siguruar të drejtën e protestës paqësore, dhe nga ana tjetër, edhe për të garantuar shtetin ligjor dhe mbrojtjen e pronës private.
Avokati i Popullit e njohu ambasadoren me punën e institucionit, për përgatitjen e disa rekomandimeve konkrete mbi përdorimin e forcës nga ana policisë gjatë tubimeve, përfshirë edhe standarde të qarta për përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës.
Zvicra ngelet një partnere e rëndësishme e Shqipërisë dhe e Avokatit të Popullit në veçanti, për të forcuar mandatin e institucionit si mbrojtës i të drejtave të njeriut.