6 Tetor 2026

Avokati I Popullit Në Mbledhjen E Këshillit Kombëtar Të Barazisë Gjinore: Raportet Tona Për Femicidin Të Trajtohen, Situata Në Terren E Ndryshme Nga Ajo Në Letër


Avokati i Popullit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore: Raportet tona për femicidin të trajtohen, situata në terren e ndryshme nga ajo në letër

Nën drejtimin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Klodiana Spahiu,  u mblodh sot për herë të parë Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore. 

Gjatë fjalës së tij, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, vuri theksin te rëndësia e zbatimit efektiv të kuadrit ligjor dhe kërkoi që raportet e Observatorit për Femicidin të jenë pjesë e pandashme e diskutimeve dhe vendimmarrjes së këtij Këshilli.

„Avokati i Popullit me ndihmën e UN Women që nga viti 2024 ka ngritur një observator për femicidin. Edhe si kërkesë e parë unë do të doja që raportet që prodhon ky observator të bëhen pjesë e diskutimeve të këtij këshilli. Sepse aty do të kemi mundësi të shohim që ka një realitet që funksionon në letër, ka dhe një realitet që funksionon në praktikë. Dhe ai realitet që funksionon në praktikë është dhe qëllimi pse jemi mbledhur ne sot këtu. Është dhe qëllimi pse ekziston kuadri ligjor,"-tha Shabani. 

Mbledhja shënoi nisjen e një qasjeje të re ndërinstitucionale, duke bërë bashkë përfaqësues të ministrive të linjës, institucioneve të pavarura, Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile, ku ministrja Spahiu theksoi se barazia gjinore duhet të matet me ndryshimin real që sjell në jetën e grave dhe vajzave.

Në këtë takim u diskutua gjithashtu për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, përdorimin e të dhënave për hartimin e politikave publike dhe nevojën që standardet ligjore të përkthehen në mbrojtje konkrete dhe të drejta të garantuara për qytetarët në jetën e përditshme.