10 Nëntor 2026

Më Shumë Qytetarë I Drejtohen Avokatit Të Popullit, Rritet Me 35 % Numri I Çështjeve Për Vitin 2026


Më shumë qytetarë i drejtohen Avokatit të Popullit, rritet me 35 % numri i çështjeve për vitin 2026

70 punonjës për mbi 2.000 çështje në vit, krahas monitorimit të protestave, opinioneve për ligjet dhe opinioneve për Gjykatën Kushtetuese

Nga janari deri në tetor 2026, Avokati i Popullit ka regjistruar 1.786 çështje të reja. Me këtë ritëm, viti pritet të mbyllet me 35% më shumë se një vit më parë.

“Shifrat tregojnë se qytetarët po na besojnë më shumë”, -tha sot Avokati i Popullit, Endrit Shabani, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kuvend.

Çështjet janë vetëm një pjesë e punës. Gjatë këtij viti, institucioni ka monitoruar protestat qytetare për gjashtë muaj dhe ka dhënë mbi 50 opinione dhe raporte: për ndryshime ligjore, për organizma ndërkombëtarë dhe për Gjykatën Kushtetuese.

Për të qenë më pranë qytetarëve, institucioni ka hapur edhe dy zyra të reja rajonale larg qendrës, duke rishpërndarë stafin ekzistues.

“Puna është rritur me mbi një të tretën, ndërsa stafi dhe buxheti kanë mbetur të njëjtë. Qytetarët meritojnë përgjigje në kohë”,- tha Shabani.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit kërkoi 20 pozicione të reja në buxhetin e vitit 2027, që do të shërbejnë për verifikimin në terren të zbatimit të rekomandimeve dhe për fuqizimin e zyrave rajonale.

Nevojën për më shumë burime e ka konstatuar vetë Kuvendi në rezolutën për vitin 2025. Të njëjtin konstatim e bën Komisioni Evropian në Raportin e Progresit 2026, ku kërkon fuqizimin e i institucioneve të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, duke nisur nga Avokati i Popullit.