Minimumi Jetik, Ap: E Gjithë Reforma Në Këtë Drejtim Ka Nevojë Për Një Gjallërim Të Ri

Gjatë dëgjesës publike në mbledhjen e përbashkët të Komisioneve Parlamentare për të Drejtat e Njeriut dhe për Nismat Qytetare, mbi Raportin Vjetor të Veprimtarisë për vitin 2024, Avokatja e Popullit kujtoi se institucioni ka përgatitur dy raporte për minimumin jetik, i pari në vitin 2014 dhe i dyti si follow-up, por çështja nuk ka avancuar me ngritjen e një mekanizmi zyrtar.
“E gjithë reforma në këtë drejtim ka nevojë për një gjallërim të ri,” – tha znj. Ballanca, duke theksuar se kjo përfshin personat me aftësi të kufizuara, ata pa të ardhura dhe shtresat vulnerabël.
Shqipëria mbetet vendi me investimin më të ulët në rajon për këtë kategori.
Qeveria ka indeksuar pensionet pak më shumë se inflacioni i deklaruar, ndërsa ka përmirësim të lehtë në vitin 2024 për personat në rrezik varfërie. Megjithatë, jemi ende larg mesatares ballkanike. Në raport janë krahasuar vendet e rajonit dhe është theksuar se minimumi jetik ndikon drejtpërdrejt në vendime të tjera, si përcaktimi i detyrimeve ushqimore për fëmijët — një grup tepër vulnerabël që ka nevojë për mbrojtje shtetërore.