Korçë-Qytetarët I Ankohen Avokatit Të Popullit Për Pensionet, Pagesat Për Aftësinë E Kufizuar Dhe Pronat!
Institucioni i Avokatit të Popullit zhvilloi sot një ditë të hapur në Korçë për të dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet e qytetarëve.
Komisionerja e Avokatit të Popullit, Vilma Shurdha dhe nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Themeli bashkëbiseduan me banorët e qarkut.
Pjesëmarrësit paraqitën problematika, si:
- Niveli i pensioneve
- Pagesat për personat me aftësi të kufizuara (KEMP) dhe aksesi i tyre
- Protestat e fundit dhe ndërhyrjet e policisë
- Çështjet e pronave
Gjithashtu, institucionet vendore kontribuuan në diskutime, nga Këshilli i Qarkut Korçë, koordinatorja vendore kundër dhunës ndaj grave, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, të shërbimeve sociale nga Korça, Maliqi, Devolli dhe Erseka, të shërbimit të ndihmës juridike falas dhe të organizatave të shoqërisë civile.
Gjatë Ditës së Hapur në Korçë, ekipi i Avokatit të Popullit administroi 8 ankesa zyrtare ndaj institucioneve publike dhe ofroi këshillim ligjor dhe orientim në 13 raste.
Takimi i radhës do të jetë të hënën e ardhshme, në Librazhd, në orën 11:00!