24 Tetor 2018

Institucioni Shqiptar I Avokatit Te Popullit Zgjidhet Ne Bordin Drejtues Te Dy Organizatave Te Rendesishme Nderkombetare Te Te Drejtave Te Njeriut


INSTITUCIONI SHQIPTAR I AVOKATIT TE POPULLIT ZGJIDHET NE BORDIN DREJTUES TE DY ORGANIZATAVE TE RENDESISHME NDERKOMBETARE TE TE DREJTAVE TE NJERIUT

 

Nga dita e sotme, Avokati i Popullit të Shqipërisë është pjesë e bordit të Rrjetit Europian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (ENNHRI) si dhe Aleancës Globale të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (GANHRI).

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca e cila po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të ENNHRI-t në Athinë, u zgjodh në bordin e këtij rrjeti të fuqishëm europian, si përfaqësuese e institucionit kryesor të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Shqipëria kishte kandiduar për t'u zgjedhur pjesë e këtij bordi dhe pas votimit, sot zyrtarisht ka marrë miratimin e Asamblesë. Vende të tjera anëtare të këtij bordi i cili e nis mandatin e tij në mars të 2019, janë edhe Norvegjia, Polonia, Irlanda, Greqia dhe Kroacia.

ENNHRI është një organizatë mbarë europiane e cila grupon institucionet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në kontinentin tonë duke shërbyer edhe si një degë europiane e Aleancës Globale të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (GANHRI).

Institucioni i Avokatit të Popullit nga Shqipëria, gjithashtu mori miratimin dhe u zgjodh edhe në bordin e GANHRI-t, duke e maksimalizuar suksesin dhe duke arritur për herë të parë që një institucion shqiptar të arrijë në nivele kaq të larta ndërkombëtare përfaqësimi.