31 Mars 2026

Gjenevë/ Avokati I Popullit I Bashkohet Kërkesës Së E.N.N.H.R.I: Të Ruhet Pavarësia E Gjykatës Së Strasburgut


Gjenevë/ Avokati i Popullit i bashkohet kërkesës së E.N.N.H.R.I: Të ruhet pavarësia e Gjykatës së Strasburgut

Këto ditë, Gjeneva është kthyer në qendrën e debatit botëror për dinjitetin njerëzor. Avokati i Popullit i Shqipërisë, z. Endrit Shabani , së bashku me Komisioneren Vilma Shurdha, po marrin pjesë në Konferencën Vjetore të GANHRI, në atë që konsiderohet si takimi më i madh botëror i mbrojtësve të të drejtave të njeriut nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.

 

Një moment kulminant i kësaj vizite ishte mbledhja e Rrjetit Evropian (European Network of National Human Rights Institutions), ku u mor një vendim me rëndësi strategjike për integritetin e drejtësisë në Evropë. Përmes një deklarate të përbashkët, institucionet kombëtare i bënë thirrje shteteve të Këshillit të Evropës të respektojnë pavarësinë e Gjykatës së Strasburgut.

Ky qëndrim vjen si kundërpërgjigje ndaj tentativave politike për të dobësuar sistemin e Konventës në emër të menaxhimit të migracionit. Për z. Shabani dhe kolegët e tij evropianë, mesazhi ishte i qartë: Të drejtat e njeriut janë universale dhe asnjë agjendë politike nuk mund të diktojë se si Gjykata duhet ta interpretojë ligjin.

"Pjesëmarrja jonë dhe vota pro kësaj deklarate rikonfirmon angazhimin e palëkundur të Avokatit të Popullit të Shqipërisë për të mbrojtur standardet evropiane. Në një kohë kur sfidat e migracionit po rriten, është jetike që përgjigjet politike të mos sakrifikojnë integritetin e sistemit të Konventës, i cili ka shërbyer si mburojë për liritë individuale për mbi 75 vite." -tha Shabani

 

Përveç krizës së migracionit, delegacioni shqiptar po kontribuon në diskutimet mbi tematikat që po riformësojnë shoqërinë moderne:

Inteligjenca Artificiale- Nevoja për mbrojtjen e privatësisë në hapësirën digjitale.

Mjedisi-Trajtimi i një mjedisi të shëndetshëm si një e drejtë themelore njerëzore.

Mbrojtja e grupeve vulnerabël- Fokus i veçantë te të drejtat e fëmijëve dhe luftën kundër ksenofobisë.

 

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Avokati i Popullit ka zhvilluar një sërë takimesh me funksionarë të OKB-së, përfshirë Komitetin për Parandalimin e Torturës dhe përfaqësuesit e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG). 

Kjo vizitë rikonfirmon angazhimin e Avokatit të Popullit për të qenë një zë i fuqishëm dhe i pavarur, duke sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë.