3 Nëntor 2026

Dibër/ Pensione Që Nuk Mjaftojnë, Prona Që Nuk Dokumentohen, Bujqësi Në Rrezik! Banorët Ankohen Tek Avokati I Popullit


Dibër/ Pensione që nuk mjaftojnë, prona që nuk dokumentohen, bujqësi në rrezik! Banorët ankohen tek Avokati i Popullit

Ekipi i Avokatit të Popullit zhvilloi sot një ditë të hapur në Dibër, ku u takua me banorë dhe përfaqësues institucionesh nga i gjithë qarku për të dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet e tyre.

Dy Komisioneret, Vilma Shurdha dhe Erinda Meli, dëgjuan ankesat e qytetarëve dhe përballën zyrtarët me problematikat kryesore të ngritura nga komuniteti:

  • Pronat dhe Kadastra Dibër: Shërbimi i munguar në Zyrat e Kadastrës, pengesat me procesin e legalizimeve dhe pengesat administrative me pronat e mbivendosura 

  • Infrastruktura dhe shërbimet publike: Mungesa e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, si dhe kabinat elektrike të shkatërruara e jashtë funksionit. 
  • Siguria rrugore: Mungesa e investimeve bazë dhe e bordurave mbrojtëse. 
  • Bujqësia dhe mbështetja për fermerët: Mungesa e një pike grumbullimi nga Bashkia për produktet bujqësore, çka vështirëson shitjen dhe rrezikon prishjen e prodhimeve të vendit.
  • Çështjet sociale: Masat e ulëta të pensioneve dhe nevoja për kompensim proporcional të të ardhurave për të gjithë pensionistët. 

Në përfundim të takimit, ekipi ofroi këshillim ligjor falas dhe administroi ankesat e qytetarëve për të nisur menjëherë hetimet administrative përkatëse.

Turi ynë i dëgjimit vijon në të gjithë Shqipërinë! Takimi i radhës do të zhvillohet të martën e ardhshme, në Bashkinë Korçë, në ora 11:00.

Ju mirëpresim!