Deklarata E Rrjetit Europian Të Institucioneve Kombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut (Ennhri) Në Mbështetje Të Gjykatës Evropiane Për Të Drejtat E Njeriut

Rrjeti Evropian i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI) u bën thirrje Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës të respektojnë dhe të garantojnë mbrojtjen e pavarësisë së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata).
Në një kontekst të rritjes së polarizimit dhe konflikteve si në Evropë, ashtu edhe në nivel global, Gjykata përbën një shtyllë themelore të paqes, demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut për çdo individ në Evropë, brenda sistemit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, atij sistemi që shtetet palë kanë vendosur ta ndërtojnë në mënyrë të përbashkët.
Më datë 22 maj 2025, me nismën e Danimarkës dhe Italisë, nëntë qeveri të Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës përfshirë Austrinë, Belgjikën, Çekinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Poloninë, publikuan një letër të hapur, përmes së cilës bëjnë thirrje për një “dialog të ri dhe të hapur mbi interpretimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Shqetësimet e shprehura nga këto qeveri lidhen kryesisht me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fushën e migracionit. Në veçanti, letra argumenton se praktika gjyqësore e Gjykatës në lidhje me dëbimin e migrantëve të dënuar për vepra penale, cenon hapësirën diskrecionare të qeverive për marrjen e vendimeve në këtë fushë.
ENNHRI shpreh shqetësimin lidhur me letrën e hapur të nëntë qeverive. Ndërsa është e drejtë dhe përgjegjësi legjitime e qeverive të garantojnë sigurinë e shoqerise- siç theksohet edhe në leter, dhe ndërmarrja e një debati të hapur mbi këto çështje është thelbësore në një sistem demokratik, pasi çdo veprim duhet të realizohet në përputhje të plotë me normat dhe detyrimet e së drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Gjykata luan një rol thelbësor në sigurimin e interpretimit dhe zbatimit të unifikuar të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) në të gjitha Shtetet Anëtare. Vendimet e saj kontribuojnë në forcimin e sigurisë juridike për individët dhe në garantimin e një mbrojtjeje të qëndrueshme dhe koherente të të drejtave të njeriut në të gjithë hapësirën e Këshillit të Evropës.
Gjykata u themelua me vendim sovran të Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës për të mbikëqyrur zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Kjo Konventë pasqyron të drejtat minimale dhe të patjetërsueshme të secilit person, të lindura për çdo qenie njerëzore dhe të pavarura nga kombësia. Ajo përfshin të drejta të paderogueshme, si ndalimi i torturës, trajtimeve çnjerëzore apo poshtëruese, të cilat nuk mund të pezullohen ose kufizohen në asnjë rrethanë; këto të drejta konsiderohen thelbësore për dinjitetin njerëzor.
ENNHRI thekson se Gjykata nuk pengon qeveritë në marrjen e vendimeve për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin e shoqërisë, përfshirë edhe dëbimin e migrantëve të dënuar për vepra penale. Megjithatë, në përputhje me parimin e sundimit të ligjit, Gjykata ushtron mbikëqyrje të pavarur dhe të paanshme mbi përputhshmërinë e këtyre vendimeve me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Gjykata kërkon që çdo vendim për dëbim të vlerësohet në mënyrë individuale, duke marrë parasysh rrethanat specifike të personit në fjalë, përfshirë natyrën e veprës penale, lidhjet e individit me vendin pritës, si dhe duke parandaluar rrezikun e torturës ose trajtimit çnjerëzor apo poshtërues pas kthimit. Kjo qasje individuale pasqyron një zbatim të balancuar të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe respekton si interesat e shtetit, ashtu edhe të drejtat e njeriut.
Gjykata lë një hapësirë diskrecionale për Shtetet Anëtare në lidhje me mënyrën e zbatimit dhe interpretimit të të drejtave të parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), veçanërisht kur bëhet fjalë për balancimin midis të drejtave individuale dhe interesave të përgjithshme publike, duke përfshirë edhe çështjet e sigurisë së shoqërisë. Në fushën e dëbimit të migrantëve, Gjykata i njeh Shteteve Anëtare një hapësirë të gjerë vlerësimi, ku një numër i konsiderueshëm i çështjeve është vendosur në favor të shtetit palë. Megjithatë, në raste të caktuara, pas një analize të kujdesshme dhe të balancuar të të drejtave në konflikt, Gjykata ka konstatuar se vendimet për dëbimin e migrantëve janë në shkelje të KEDNJ-së. Në përputhje me parimin e sundimit të ligjit, këto vendime, ashtu si çdo vendim tjetër i Gjykatës janë të detyrueshme dhe duhet të ekzekutohen nga shtetet palë në Konventë.
Megjithëse debati publik dhe kritik është thelbësor për funksionimin e demokracisë, ai nuk duhet të dëmtojë pavarësinë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sulmet ndaj legjitimitetit të vendimeve të Gjykatës nga ana e qeverive rrezikojnë të dobësojnë autoritetin dhe pozicionin e saj si organ drejtësie të pavarur. Kjo paraqet një shqetësim të veçantë në një kontekst global, ku disa qeveri, nën pretekstin e nevojave të sigurisë kombëtare dhe kontrollit të migracionit, sfidojnë në mënyrë të përsëritur pavarësinë dhe legjitimitetin e institucioneve gjyqësore në nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Para shtatëdhjetë e pesë vjetësh, vendosmëria dhe lidershipi i Shteteve Anëtare evropiane në periudhën pasluftës rezultuan në miratimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe krijimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Këto veprime u bazuan në bindjen e patjetërsueshme se të drejtat e njeriut përbëjnë themelin e drejtësisë dhe paqes ndërkombëtare. Në një kontekst gjeopolitik aktual të paqëndrueshëm, duke përfshirë prani konflikti në kontinentin evropian, është imperativ që qeveritë evropiane të tregojnë të njëjtin nivel lidershipi dhe përkushtimi si atëherë. Kjo nënkupton angazhim të palëkundur për sundimin e ligjit, respektimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe vlerësimin e pavarësisë së institucioneve gjyqësore që janë garanci e zbatimit efektiv të këtyre parimeve.