4 Mars 2026

Bruksel-Avokati I Popullit, Në Një Intervistë Për Euronews Albania Mbi Raportimin Në B.E, Aktualitetin Dhe Sfidat E Institucionit


Bruksel-Avokati i Popullit, në një intervistë për Euronews Albania mbi raportimin në B.E, aktualitetin dhe sfidat e institucionit

Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, në një intervistë për Euronews Albania, ndau detaje mbi raportimin e tij në institucionet e BE-së. Fokusi i diskutimeve ishin sfidat kritike të të drejtave të njeriut në Shqipëri: çështja e pronave, zvarritja e proceseve gjyqësore dhe numri i lartë i të paraburgosurve, me theks të veçantë te personat me aftësi të kufizuara dhe ata me probleme të shëndetit mendor.

Lidhur me të drejtën e tubimit dhe veprimet e policisë, Avokati deklaroi:

"Nuk ka protestë që nuk monitorohet nga institucioni. Po hetohen protokollet e përdorimit të gazit lotsjellës dhe forcës në tubime, dhe i kemi kërkuar policisë protokolle të qarta se kush e jep urdhrin e përdorimit."

Gjithashtu, ai informoi se ekipet e Avokatit të Popullit kanë zbritur menjëherë në terren për të trajtuar ankesat pronësore të banorëve në Durrës dhe Rrjoll, çështje të cilat mbeten nën hetim aktiv.

Në përfundim, u ritheksuan tre objektivat thelbësore të mandatit të tij kushtetues:

1. Shkurtimi i kohës së përgjigjes ndaj qytetarëve.

2. Rritja e zbatueshmërisë së rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

3. Konsolidimi i besimit të publikut tek institucioni.

Ndiqni intervistën e plotë me gazetarin Ilir Kazaferi: https://www.youtube.com/watch?v=oGFTeJFWKAI