15 Nëntor 2023

Avokatja E Popullit, Znj. Ballanca Merr Pjesë Në Webinar: "Fuqia Rekomanduese E Mediatorëve Dhe Avokatit Të Popullit Për Të Mbështetur Reformën Administrative Dhe Ligjore


Avokatja e Popullit, znj. Ballanca merr pjesë në Webinar: "Fuqia rekomanduese e Mediatorëve dhe Avokatit të Popullit për të mbështetur reformën administrative dhe ligjore

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, ishte pjesë e një paneli të rëndësishëm me homologë dhe ekspertë në webinarin e organizuar nga Institucioni i Mediatorit të Mbretërisë së Marokut dhe Instituti Ndërkombëtar i Ombudsmanit.

 

Webinari, i titulluar "Fuqia rekomanduese e Mediatorëve dhe Avokatit të Popullit për të mbështetur reformën administrative dhe ligjore", synon të nxisë një shkëmbim ndërkombëtar të ekspertizës mbi rolin vendimtar të luajtur nga këto institucione, në formësimin e sistemeve efektive administrative dhe ligjore.

 

Në fjalën e saj, Znj. Ballanca nënvizoi angazhimin e institucionit që ajo drejton për përpjekjet aktive në funksion të dhënies së rekomandimeve, të cilat kanë patur një ndikim real në konsolidimin e kornizës ligjore dhe administrative në Shqipëri.

 

Përmes rasteve konkrete të sjella në vëmendjen e pjesëmarrësve, Znj. Ballanca përmendi një sërë nismash rekomanduese, të cilat jo vetëm kanë orientuar vendimmarrje të rëndësishme politike, por edhe kanë funksionuar në mbështetje të punës së mjaft mekanizmave që advokojnë mbi promovimin e transparencës brenda proceseve administrative dhe ligjore.

 

Rekomandimet e dhëna mbi legjislacionin e miratuar gjatë periudhës së Pandemisë së Covid 19, raportet e publikuara mbi minimumin jetik, rekomandimet mbi amendimet kushtetuese që do ta njihnin të drejtën për mirëadministrim si një të drejtë të njeriut, etj; ishin disa nga kontributet që znj. Ballanca solli në vëmendjen të diskutimit.

 

Gjithashtu, në vëmendjen e të pranishmëve u theksua roli i Avokatit të Popullit si një institucion proaktiv dhe konkretisht duke e vendosur në kontekstin e Mesdheut, u evidentua lidershipi i Shqipërisë në inkurajimin e nxitjes së bashkëpunimit rajonal.

 

Gjatë këtij webinari të pranishmit paraqitën këndvështrimet e tyre mbi sfidat dhe mundësitë, me të cilat përballen ombudsmanët në nxitjen e reformave ligjore - administrative, si dhe potencialin e tyre transformues në këto procese.