5 Shkurt 2019

Avokatja E Popullit Bashkëbisedon Me Një Grup Aktivist Studentësh


AVOKATJA E POPULLIT BASHKËBISEDON ME NJË GRUP AKTIVIST STUDENTËSH

Institucioni i Avokatit të Popullit u vizitua sot nga anëtarë të një grupimi studentor të përfshirë në lëvizjen e fundit për ndryshime në sistemin e arsimit të lartë.

Studentët e grupimit “Qëndresa Qytetare” u pritën nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca dhe shkëmbyen së bashku mendime e alternativa mbi gjendjen e studentëve dhe arsimit të lartë në vendin tonë.

Studentët parashtruan pikëpamjet e tyre si dhe shprehën dëshirën për mbajtjen gjallë të frymës së ndryshimeve sistemike në arsim ku procesi i konsultimeve me institucione të pavarura si ai i Avokatit të Popullit luan një rol parësor.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca shprehu mbështetjen e saj për kauzën e studentëve dhe i informoi ata mbi kompetencat ligjore të institucionit të Avokatit të Popullit.

“Unë ju nxis që ju ta ushtroni të drejtën tuaj për të pretenduar sa më shumë cilësi nga sistemi dhe të mos e humbisni shpirtin tuaj kritik e kërkues, sepse kjo i bën mirë demokracisë”, u shpreh zonja Ballanca.

Në takim u cekën çështje që trajtonin tarifat e studimit, korrupsionin në sistemin arsimor, kushtet e studimit, stazhin pas-universitar, lidhjen e universitetit me tregun e punës, etj.