17 Nëntor 2018

Avokati I Popullit I Angazhuar Për Një Hetim Të Plotë E Cilësor Të Situatës Së Krijuar Me Rastin E Zgjerimit Të Unazës Së Re Në Tiranë


AVOKATI I POPULLIT I ANGAZHUAR PËR NJË HETIM TË PLOTË E CILËSOR TË SITUATËS SË KRIJUAR ME RASTIN E ZGJERIMIT TË UNAZËS SË RE NË TIRANË

Institucioni i Avokatit të Popullit po e ndjek me vëmendje situatën e krijuar mes qindra qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore si pasojë e zgjerimit të Unazës së Re.

Një peticion i nënshkruar nga mbi 200 qytetarë i është dërguar Avokatit të Popullit, me kërkesën që institucioni të hetojë nëse ka shkelje të procedurave shtetërore që cënojnë të drejtën e tyre.

Edhe përpara mbërritjes së këtij peticioni, prej të paktën dy javësh, Avokati i Popullit ka nisur me iniciativë hetimin administrativ mbi këtë çështje që duket se prek interesat e një numri të madh qytetarësh.

Avokati i Popullit ka vërejtur ndërkohë qysh prej qershorit, kur problematika e zgjerimit të njërit prej loteve të Unazës së Re që prek zonën e Shkozës solli përplasje mes qytetarëve dhe autoriteteve publike, se duheshin marrë masa që situata të evitohej gjatë punimeve në lotet e tjera të kësaj vepre, siç është rasti me zonën aktuale tek Astiri.

Fatkeqësisht, asnjë prej rekomandimeve që Avokati i Popullit përfshiu në Raportin e tij special i cili iu dërgua gjithë institucioneve relevante, përfshi Kuvendin e Shqipërisë, nuk është adresuar dhe për pasojë, jemi në kushtet e një krize të re të paralajmëruar.

Sidoqoftë, në përputhje me ligjin në bazë të të cilit vepron, Avokati i Popullit ka depozituar edhe kësaj radhe kërkesa për informacion në të gjitha institucionet shtetërore të përfshira në këtë proces, si Bashkia e Tiranës, ALUIZNI, ARRSH, IKMT etj.

Gjithashtu, përfaqësues të institucionit kanë marrë kontakt si me përfaqësues të këtyre autoriteteve shtetërore, ashtu edhe në terren me banorët duke e parë konkretisht situatën në mënyrë që argumentimi i raportit që pritet të përfundojë të jetë sa më korrekt.

Institucioni i Avokatit të Popullit vëren se është e domosdoshme që jo vetëm çdo veprim i cili cënon pronën e qytetarëve të kryhet në konsultim e në mirëkuptim me ta, por edhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin në çdo rast përpjekje për dialog me synim arritjen në një zgjidhje që nuk lë asnjë qytetar shqiptar të humbasë besimin tek institucionet tona dhe shteti ynë i përbashkët.

Gjithashtu, institucioni e vlerëson si tepër të rëndësishme që asnjë ndërtim të mos nisë nga punimet pa u pajisur fillimisht me lejen përkatëse dhe ky duhet të jetë një standard i cili duhet të vlejë njëlloj si kur zbatohet mbi qytetarët ashtu edhe mbi institucionet shtetërore që ndërmarrin punime publike. Në një shtet të së drejtës, ligji duhet të vlejë për të gjithë njëlloj.