8 Mars 2018

Avokati I Popullit Bën Thirrje Për Bashkim Dhe Solidaritet Me Rastin E 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare Të Gruas


AVOKATI I POPULLIT BËN THIRRJE PËR BASHKIM DHE SOLIDARITET ME RASTIN E 8 MARSIT, DITËS NDËRKOMBËTARE TË GRUAS

 

Me rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Institucioni i Avokatit të Popullit uron të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare dhe i nxit ato për më shumë solidaritet e bashkim në luftën e tyre për emancipim e të drejta sociale.

Shoqëria shqiptare e shekullit të fundit ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në barazinë gjinore dhe të drejtat e grave, por situatat e vështira ekonomike dhe politike e rivendosin shpesh në pikëpyetje gjithë këtë përparim duke e kërcënuar shpesh edhe me regres.

Gruaja në Shqipëri është vërtet e lirë të votojë, të punësohet dhe të zhvillojë personalitetin e dinjitetin e vet. Megjithatë shpesh këto të drejta të garantuara në letër, pamundësohen apo kthehen në një luks të paarritshëm në realitet, nga gjendja e rëndë ekonomike apo edhe kulturore ku ndodhet e gjithë shoqëria sot dhe gruaja si pjesë e rëndësishme e saj.

Një grua në Shqipëri sot paguhet ende dukshëm më pak se burrat për të njëjtën punë dhe kjo është më e pranishme sidomos në sektorin e prodhimit ku shpesh preferenca për të punësuar një grua shërben si pretekst për të dhënë paga të ulëta.

Gruaja vazhdon të jetë masivisht e papunë ose e keqpunësuar, e shfrytëzuar në punë dhe njëkohësisht me barrë të dyfishtë për shkak të punëve shtëpiake.

Autoritetet tona duhet të bëjnë më shumë për ta çliruar gruan nga vargonjtë e punës robëruese si dhe të nxisin përfshirjen sa më të lartë të gruas në punën intelektuale apo në administrim, ku edhe diferencat gjinore në paga janë më të vogla.

Objektifikimi seksual apo marketizimi i figurës së gruas nga industria e spektaklit po rritet me shpejtësi në Shqipëri duke nxitur perceptimin madje edhe vetëperceptimin e gruas si një send utilitar me vlerë thjesht riprodhuese apo dekorative.

Fatkeqësisht është sërish gjendja e vështirë ekonomike dhe mungesa e perspektivës së gruas për të siguruar jetën dhe për t’u zhvilluar në një punë me dinjitet, lënda e parë ushqyese e këtij fenomeni.

Gjithashtu dhuna ndaj gruas, vrasjet nga partnerë agresivë, rrahja, gjymtimi, poshtërimi, nëpërkëmbja apo deri edhe zhveshja pronësore në rast divorci mbetet një dukuri ende e përhapur në shoqëri.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i përkushtuar në përpjekjen për avancimin e statusit shoqëror të gruas në vendin tonë si dhe luftën për barazi dhe të drejtat e saj njerëzore.

8 marsi duhet të jetë një ditë reflektimi larg shfaqjeve propagandistike, për të gjetur së bashku rrugëdaljet nga gjendja në të cilën ndodhet gruaja në Shqipëri.