28 Qershor 2021

Organizohet Ditë E Hapur Me Temë “Respektimi I Të Drejtave Të Shtetasve Të Huaj Që Vuajnë Dënimin Në Shqipëri”


ORGANIZOHET DITË E HAPUR ME TEMË “RESPEKTIMI I TË DREJTAVE TË SHTETASVE TË HUAJ QË VUAJNË DËNIMIN NË SHQIPËRI”

Institucioni i Avokatit të Popullit, ka në prioritetet e tij kryesore, respektimin e të drejtave dhe lirive të personave të privuar nga liria, duke përfshirë edhe të burgosurit e huaj që ndodhen në ambientet e privimit të lirisë në Republikën e Shqipërisë. 

Kjo temë është shumë pak e trajtuar, jo vetëm ne legjislacionin apo praktikën shqiptare, por dhe praktikat ndërkombëtare. Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues është pjesë e konsorciumit prej 6 anëtarëve të projektit B-Competent, projekt i Bashkimit Europian, cili synon të ndërtojë kapacitetet ne personelin civil dhe policor të burgjeve, për t'u marrë me korrektësi me të burgosurit e huaj dhe për të përmbushur nevojat dhe të drejtat e tyre të veçanta, në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare.

Në këtë kuadër Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës në datën 28.06.2021, zhvilloi aktivitetin Ditën e Hapur me temë "Respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj të cilët vuajnë dënimin në Republikën e Shqipërisë”.

Aktiviteti kishte si qëllim zbatimin efektiv dhe koherent të ligjeve dhe standardeve të BE-së për trajtimin e të burgosurve të huaj, nëpërmjet një bashkëbisedimi të përbashkët, si dhe ndarjen e eksperiencave mbi veprimet ndërgjegjësuese dhe mjetet praktike. 

Në këtë aktivitet morën pjesë Avokatja e Popullit znj. Erinda Ballanca, Komisionerja e MKPT-së znj Ermonela Xhafa, Komisionerja e Seksionit të Veçantë znj Eronela Ruspi, përfaqësues nga sistemi penitenciar, përfaqësues të Shoqërisë Civile etj.