21 Nëntor 2019

“Avancimi I Reformave Në Sistemin E Burgjeve Në Prespektivën E Zhvillimit Të Formimit Profesional Dhe Punësimit Të Të Burgosurve


“Avancimi i reformave në sistemin e burgjeve në prespektivën e zhvillimit të formimit profesional dhe punësimit të të burgosurve

Komisionerja e MKPT- së znj Ermonela Xhafa, mbajti nje fjalë përshëndetëse në Tryezën e Diskutimit me temë “Avancimi i reformave në sistemin e burgjeve në prespektivën e zhvillimit të formimit profesional dhe punësimit të të burgosurve”, e organizuar në dt 21 nëntor 2019, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Ndër të tjera ajo theksoi se: Të dënuarit në burgjet shqiptare nuk paguhen për punën që bëjnë, edhe pse ligji ka dalë rreth 20 vite më parë. Jo vetëm kaq, por janë zvarritur edhe draftet për zbatimin e ligjit, ndërsa ata të burgosur/paraburgosur që punojnë, paguahen sipas rregullores së brendshme bazuar në një Dekret të 1989, shuma qesharake si 90 lekë në muaj ( sipas VKM nr.228, datë 19.05.1993 “Për mënyrën e shpërblimit të punës së të dënuarve me heqje lirie”), ose e konvertojnë neē ulje dënimi me 3,9 ditë burgu në muaj.

Avokati i Popullit ka bërë disa rekomandime në adresë të Ministrisë së Drejtësisë dhe konkretisht që të plotësohet kërkesa për ligjin nr. 8328 i datës 16 prill 1998, “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve në burgim”, lidhur me shpërblimin e punës.
Respektimi i të drejtave të personave të privuar nga liria, cënohet jo vetëm nga problematika si mbipopullimi, problemet e infrastrukturës (pavarësisht përmirësimeve në këtë drejtim), por dhe nga moszgjidhja e çështjes së shpërblimit të punës së të burgosurve, si një masë rehabilituese. Avokati i Popullit në rekomandimet e tij thekson faktin se duhen një shpërblim i drejtë për punën e kryer dhe pasqyrimin e kontributit të punës në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte të sillnin bashkë në një tryezë përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të sistemit të drejtësisë penale, përfaqësitë e Institucioneve Ndërkombëtare në vend dhe shoqërinë civile për diskutimin e hapave të mëtejshme të reformës në sistemin e burgjeve, si dhe forcimit të mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional, për një respektim më të mirë të të drejtave të personave në konflikt me ligjin në sistemin e burgjeve në prespektivën e zhvillimit të formimit profesional dhe punësimit të të burgosurve.

Në këtë takim u prezantua dhe një eksperiencë shumë e bukur e organizatës “ Orkidea”, lidhur me punësimin e disa grave nën titullin “ Made in Prison-Albania”.

Nga diskutimet që u bënë u dhanë modelet me të mira që mund të adaptohen për të zgjidhur këtë problematikë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përgatitur nje draft VKM e cila do t’i dërgohet për mendim gjithe aktorëve kryesorë.