27 Maj 2020

Rast Suksesi I Pranimit Të Rekomandimit Të Adresuar


Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë kësaj periudhe të vështirë të pandemisë është duke kryer detyrën në përmbushje të misionit të tij kushtetues, për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjatë monitorimit të kësaj situate, Institucioni i Avokatit të Popullit në datën 16.04.2020 ka regjistruar me nismën e vet rastin e bërë publik në media në datën 15.04.2020. Sipas mediave në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë ishin të bllokuar sërish në tokën neutrale 21 shtetas shqiptarë të cilët, që në mbrëmjen e datës 14.04.2020 ishin paraqitur në tentativë për të hyrë në Shqipëri. Nga media u informuam se këta shtetas nuk kishin autorizime për kalim të kufirit nga autoritetet kompetente, si përfaqësitë konsullore apo ambasada shqiptare në Greqi dhe se, shtetasit shqiptarë që janë rezident të rregullt në Greqi apo në shtetet e tjera nuk do të lejohen të hyjnë në territorin e vendit tonë dhe do të kthehen mbrapsht. Ndërsa me shtetasit shqiptarë që kanë arsye për të hyrë në Republikën e Shqipërisë po negociohet që ata të karantinohen në hotelet e Gjirokastrës për 14 ditë dhe pritet nga momenti në moment që të hyjnë në territorin shqiptar. Pas hetimit të këtij rasti dhe marrjes së informacionit nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit lidhur me bazën ligjore, aktin normativ ligjor apo nënligjor, në të cilin bazohen veprimet e Policisë Kufitare për kategorizimin e shtetasve që do të lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe atyre që nuk do të lejohen të hyjnë, u konstatua se akti normativ pwrkatës nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare Institucioni ynë vlerëson në mënyrë të përsëritur se është e domosdoshme rritja e nivelit të transparencës duke i dhënë mundësi qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të atyre që ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe dëshirojnë që të kthehen në vendbanimin e tyre në Shqipëri ku janë rezident që të kenë akses për të vizituar faqet zyrtare të institucioneve publike që ofrojnë shërbime, qoftë edhe në rrugë elektronike. Për këto arsye autoritetet shtetërore janë përgjegjëse për publikimin konform ligjit të akteve të nxjerra prej tyre në Fletoren Zyrtare dhe të informacionit në faqet respektive zyrtare në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme Me shkresën nr. 167 prot., datë 30.04.2020 Avokati i Popullit i ka rekomanduar Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë si më poshtë: 1. Marrjen e masave të nevojshme për botimin e menjëhershëm në Fletoren Zyrtare të Urdhrit të Përbashkët nr. 240, datë 07.04.2020, të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrit të Brendshëm "Për vetëkarantinimin e shtetasve shqiptarë të cilët duan të futen në territorin e Republikës së Shqipërisë nga të gjitha Pikat Kufitare tokësore". 2. Marrjen e masave për të garantuar të drejtën e ankimit të shtetasve për masat e karantinimit, dhe përfshirja e kësaj të drejte në aktet që komunikojnë një masë detyruese të tillë. 3. Marrjen e masave të menjëhershme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministria e Brendshme për pasqyrimin në faqet zyrtare respektive të aktit nënligjor të cituar më sipër, si dhe për të gjithë masat e marra në zbatim të ligjit nr. 15/2016, të ndryshuar, apo akteve të tjera normative të nxjerra prej tyre, në kuadër të marrjes së masave të veçanta administrative, gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm me shkresën nr. 2072/1 prot., datë 12.05.2020 ndërmjet të tjerave na informoi se: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shqyrtoi me vëmendje rekomandimin e Avokatit të Popullit dhe ju vlerëson për punën dhe angazhimin Tuaj dhe mori masat e menjëhershme për zbatimin e tij. U morën të gjitha masat për botimin në Fletoren Zyrtare dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Urdhrit të Përbashkët nr. 240, datë 07.04.2020, të sipërcituar dhe për publikimin e tij në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me strukturat e tjera përgjegjëse do të ndjekë me vëmendje çdo pakënaqësi dhe çdo ankesë lidhur me karantinimin si një e drejtë ligjore e çdo shtetasi.