8 Maj 2020

Rast Suksesi I Pranimit Të Rekomandimit Të Adresuar


Shpallja e gjendjes së pandemisë globale e ka vendosur vendin tonë në një situatë e cila ka shkaktuar ndërprerjen e një pjese thelbësore të aktivitetit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik apo zhvillimin e tij, për sa është e mundur nëpërmjet telepunës. Megjithatë, në funksion të ushtrimit të detyrës kushtetuese, Avokati i Popullit është i vetëdijshëm se të drejtat e njeriut nuk mund të jenë dytësore edhe në një situatë pandemie. Gjatë muajit mars u bënë publike disa shqetësime që iu krijuan shtetasve shqiptarë që hynin në vendin tonë dhe veçanërisht atyre që po ktheheshin nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut në Shqipëri, nëpërmjet Pikave të Kalimit Kufitar Kakavijë, Kapshticë dhe Qafë Thanë. Shqetësimi i qytetarëve shqiptarë të kthyer qëndronte në faktin se ata pasi hynin në territorin e vendit tonë, iu nënshtroheshin ekzaminimeve mjekësore për infektimin nga COVID-19 dhe pasi iu këshillohej që të qëndronin të vetëkarantinuar për 14 ditë, mbeteshin në rrugë, sepse nuk kishte mjete transporti për të lëvizur drejt vendbanimeve përkatëse. Raste të tilla janë bërë publike në media përkatësisht në datat 22.03.2020, 23.03.2020 dhe 24.03.2020 etj. Avokati i Popullit vlerësoi se kjo mënyrë e të vepruarit, duke i lënë këta shtesas pa asnjë mundësi lëvizjeje, nuk i shërbente aspak qëllimit të vendosjes së masave nga autoritetet shtetërore ditët e fundit. Përveç të tjerave, kjo kategori e personave të kthyer nga jashtë vendit mund të ishte potencial si mbartës të infeksionit të COVID-19 dhe lënia e tyre jashtë kontrollit të strukturave shtetërore, mund të sillte pasojë përhapjen e këtij infeksioni. Në vend të futjes në karantinim të detyruar, të atyre që do të rezultonin pozitivë pas ekzaminimeve mjekësore të bëra në kufi apo të futjes në vetëkarantinim për 14 ditë të të tjerëve që do të rezultonin negativ, ata liheshin pa asnjë lloj kontrolli që sipas akteve normative të miratuara për këtë qëllim, ishte i domosdoshëm për këtë periudhë kohore. Pas hyrjes në fuqi të Aktit Normativ nr.3, datë 15.3.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, dhe Urdhrit nr.168/1, datë 15.03.2020 “Për kufizimin e lëvizjeve brenda vendit” të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, një shqetësim tjetër i krijuar, ishte ai i drejtuesve të mjeteve që kërkonin të lëviznin me mjetet e tyre për probleme nga më të ndryshme, si për vajtjen në vendet e punës në ato institucione apo ndërmarrje që vazhdojnë punën, për të bërë furnizimet e marketeve me produkte ushqimore, blegtorale dhe bujqësore etj. Sikurse rezultoi nga disa burime, si informacionet e dhëna nga disa drejtues mjetesh, nga vetë strukturat e Policisë së Shtetit nëpërmjet njoftimeve nga media, si dhe nga intervistat e dhëna nga punonjës të Policisë Rrugore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, numri i aplikimeve të drejtuesve të mjeteve që kishin bërë kërkesa për akreditim ishte shumë i lartë, ndaj pjesa më e madhe e aplikuesve/kërkuesve jo vetëm që nuk ka marrë autorizimin e kërkuar, po nuk kanë marrë asnjë lloj përgjigjeje nga kjo strukturë. Gjithashtu edhe dy numrat e telefonit të vëna në dispozicion të publikut për të marrë informacion lidhur me këtë problem nga verifikimet qe ne kemi bërë kanë rezultuar të padisponueshëm, pasi rezultojnë të zënë gjatë gjithë kohës. Institucioni i Avokatit të Popullit vlerësoi se duhet rritur niveli i transparencës, duke u dhënë mundësi qytetarëve që të kontaktojnë me institucionet që ofrojnë shërbime, qoftë në rrugë telefonike apo elektronike. Autoritetet shtetërore janë përgjegjëse për publikimin e informacionit në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë popullatën, Po ashtu, vlerësoi se transparenca dhe aksesi janë thelbësore për të nxitur besimin e publikut, dhe pjesëmarrjen e tij në menaxhimin e rrethanave aktuale, kjo në përputhje dhe me qëndrimin e të gjithë institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Pas hetimit administrativ të rastit, institucioni i Avokatit të Popullit u është drejtuar në datë 27.03.2020 me anë të një rekomandimi Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për marrjen e një sërë masash konkrete: - Marrjen e masave të nevojshme për botimin e menjëhershëm në Fletoren Zyrtare të dy urdhrave të nxjerra nga Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, konkretisht Urdhrit nr.168/1, datë 15.03.2020 “Për kufizimin e lëvizjeve brenda vendit” dhe Urdhrit nr.193, datë 20.03.2020, “Për mbylljen apo kufizimin e lëvizjeve në Republikën e Shqipërisë”. - Marrjen e masave të menjëhershme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për pasqyrimin në faqen zyrtare të akteve nënligjore të nxjerra për masat e marra në zbatim të ligjit nr.15/2016, të ndryshuar dhe të akteve normative të Këshillit të Ministrave, në kuadër të marrjes se masave të veçanta administrative, gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. - Marrjen e masave të nevojshme për decentralizimin e kompetencës për dhënien e autorizimeve për lëvizjen e mjeteve, ose shtimin e personelit në Drejtorinë e Policisë Rrugore që ofron këtë shërbim apo gjetjen e mënyrave alternative të organizimit të punës. - Marrjen e masave të nevojshme për lejimin apo ofrimin e shërbimit të transportit në të gjitha pikat e kalimit kufitar, veçanërisht me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të bërë të mundur lëvizjen dhe shpërndarjen në vendbanimet përkatëse, të shtetasve shqiptarë të ardhur nga këto vende përgjatë kësaj periudhe kohore. Ndërkohë, ndër tre institucionet të cilave u është drejtuar rekomandimi, është për t’u vlerësuar kthimi i përgjigjes nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me shkresën nr.2272/1 prot., datë 07.04.2020, brenda një afati kohor të shkurtër, duke pranuar rekomandimin në funksion të përmirësimit të shërbimeve që iu ofrohen qytetarëve. Për parandalimin e përhapjes së infeksionit të coronavirusit Covid-19, në vlerësim të situatës dhe përvojës së fituar për rrezikshmërinë që paraqet përhapja e sëmundjes së covid-19 dhe pasojat që sjell në jetën dhe shëndetin e banorëve nga strukturat e Policisë së Shtetit janë marrë disa masa. Këto masa konsistojnë në zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19, duke hartuar, miratuar dhe dërguar për zbatim aktet e nevojshme administrative. Janë planifikuar dhe kryer shërbime të përbashkëta 24/orë të Policisë Rrugore me personelin e Forcave të Armatosura (Policia Ushtarake), në pika kontrolli në hyrje – daljet dhe brenda qyteteve, në segmente rrugore ndërqytetase, segmente rrugore brenda qendrave urbane dhe në sheshe e kryqëzime për kontrollin dhe evidentimin e personave që kanë qëndruar dhe kanë hyrë në vendin tonë nga territori italian nga data 27.02.2020 e në vazhdim, komunikimin me moshat e treta, moslejimin e qarkullimit të automjeteve që nuk janë pajisur me leje/autorizim të posaçëm nga Policia Rrugore etj. Janë monitoruar dhe kontrolluar shërbimet e pikave të kontrollit D.V.P Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19, në vazhdimësi. Për të organizuar dhe autorizuar qarkullimin e mjeteve të lejuara nga akti normativ dhe nga urdhrat respektivë të Ministrisë së Shëndetësisë, pranë Drejtorisë së Policisë Rrugore, është organizuar puna e të gjithë specialistëve në trajtën e një “minisalle operacionale komunikimi”. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Teknologjisë së Informacionit u rritën kapacitetet e adresave elektronike, për të bërë të mundur pranimin e të gjithë aplikimeve dhe email-eve të ardhura nga qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve. Për të sqaruar qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve u aktivizuan dy numra celulari 0694122223 dhe 0694122224 të cilët përballojnë në çdo turn rreth 800 telefonata secili telefon celular. Për të përballuar telefonatat u aktivizuan me shërbim 10 punonjësit e Njësisë Operacionale të Sigurisë Rrugore, në Drejtorinë e Policisë Rrugore. Në çdo drejtori vendore u aktivizuan adresat zyrtare elektronike, si psh: (autorizime.berat@asp.gov.al, etj, në të cilat u orientuan të gjithë qytetarët për të aplikuar kërkesat e tyre për lëvizje brenda secilit qark. Në vijim, duke konsideruar ngarkesën shumë të madhe dhe numrin e konsiderueshëm të email-eve të ardhura pranë shërbimit të Policisë Rrugore për t’u autorizuar për qarkullim, iu propozua Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit kalimi në një platformë interaktive elektronike komunikimi dhe brenda një periudhe dy ditore u vu në funksionim “Covid 19-lëvizja e kontrolluar me mjet”. Në këtë platform ka katër dritarë aplikimi të shpejtë: VETËDEKLARIM; AUTORIZIM PERSONAL; AUTORIZIM BIZNESI DHE GJURMO AUTORIZIMIN. Po ashtu, megjithëse nuk ka pasur një përgjigje zyrtare ndaj rekomandimit, ka gjetur zbatim rekomandimi lidhur me botimin në Fletoren Zyrtare të dy urdhrave të nxjerra nga Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.