10 October 2018

Ankesa E Shtetases A.B


Shtetasja A. B (pedagoge e brendshme në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës), paraqiti një ankesë në institucionin e Avokatit të Popullit, në lidhje me zhvillimin dhe problemet ligjore që ajo kishte hasur në një procedurë konkurimi që po zhvillohej në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, për zgjedhjen e Shefit të Shërbimit të Laboratorit Klinik-Biokimik-Mikrobiologjik. Duke dhënë detaje mbi fillimin dhe vazhdimin e e procedurës së konkurimit në të cilën ajo kishte marrë pjesë, ankuesja ka ngritur shqetësimin rreth faktit se gjatë zhvillimit të procedurave të konkurimit janë vërejtur elementë të konfliktit të interest, si dhe parregullsi dhe shkelje të rënda proceduriale nga ana e Komisionit “Ad hoc”, të ngritur për këtë qëllim, të cilat janë shoqëruar me mungesën e transparencës për këtë proces. Për shkak të parregullsive të konstatuara, ankuesja ka paraqitur një ankesë pranë Kryetarit të Bordit të QSUT-së, Ministrit të Shëndetësisë, si një ankesë tek Rektorja e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Po kështu, me një kërkesë të veçantë ankuesja i ka kërkuar Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë bërjen transparente të mënyrës së vlerësimit të kandidatëve pjesëmarrës, duke kërkuar në konkluzion anullimin e procedurës së konkurimit, për shkak të parregullsive të shumta proceduriale dhe konfliktit të rëndë të interesit të shfaqur në të. Sa më sipër, ankuesja ka kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit për sqarimin dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje, deri në anullimin e këtij konkurimi dhe rihapjen e tij mbi bazën e kritereve dhe procedurave transparente. Me marrjen në shqyrtim të kësaj ankese nga ana jonë, kemi kërkuar dhënien e shpjegimeve nga ana e Rektores së Universitetit të Mjekësisë, përsa i përket trajtimit që i është bërë kësaj çështjeje, bazuar në pretendimet dhe ankesat e paraqitura nga ana e ankueses. Gjithashtu, kemi kërkuar dhënien e një kopje të të gjithë dokumentacionit zyrtar që, lidhet me këtë procedurë konkurimi, duke filluar nga shkresat që vërtetojnë inicimin zyrtar të kësaj procedure, kriteret e vendosura, kandidatët pjesëmarrës dhe dokumentacioni i paraqitur prej tyre, vlerësimin e bërë nga Komisioni “Ad hoc” dhe faktin nëse në momentin e paraqitjes së kësaj kërkese kishte përfunduar apo jo si procedurë shqyrtimi, kthimi i përgjigjes ndaj ankueses mbi ankesat që ajo kishte paraqitur. Nisur nga informacioni mbi këtë çështje dhe analiza ligjore specifike e trajtimit të saj kemi konstatuar se: Përcaktimi i bërë në shkresën nr.1/4 datë 10.01.2013 të Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, ku thuhet se, “…kriteret përzgjedhëse dhe vlerësuese të përshkruara në shkresën nr.3/1 datë 8.01.2013, drejtuar koordinatorëve të Njësive Bazë të FM janë sugjeruese për Komisionin e Vlerësimit “ad hoc” dhe Bordin e QSU “Nënë Tereza”, bie ndesh me përcaktimin e dhënë në pikën 6, të nenit 12, të të Ligjit nr.9741 datë 21.05.2007 ”Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku kriteret pranuese në konkurim dhe ato të tjera kualifikuese janë taksative dhe jo sugjeruese. Praktikisht vendosja e kriterit të vlerësimit sugjerues për Komisionin “Ad hoc”, jo vetëm shkel përcaktimin e sipërcituar ligjor, por edhe e transformon procedurën e konkurimit në një “lojë pa rregulla fikse”, ku objektiviteti dhe drejtësia në marrjen e një vendimi (akti administrativ) vihet në pikëpyetje. Theksojmë se, për shkak të mungesës së informacionit të kërkuar nuk mund të vlerësojmë nëse kandidatët pjesëmarrës kanë plotësuar apo jo, kërkesat që përcaktohen si të detyrueshme nga ligji. Megjithatë, devijimi që i është bërë procedurës vlerësuese sipas kritereve “sugjeruese”, përbën shkelje flagrante të procedurave të përcaktuara në ligj për zhvillimin e këtij konkurimi. Pjesëmarrja e një konkurenti në këtë procedurë konkurimi edhe si anëtar i Komisionit “Ad hoc” është një shfaqje e pastër dhe flagrante e konfliktit të interesit, në procedurën e zhvilluar për zgjedhjen e Shefit të Shërbimit Laborator Klinik-Biokimik-Mikrobiologji. Në këtë rast kemi cënim të parimit të drejtësisë dhe paanësisë të proçesit të vendim-marrjes nga ana e administratës publike, parashikuar në nenin 12, të Kodit të Proçedurave Administrative. Kjo për faktin se, një akt administrativ, sikurse shfaqet në rastin konkret, nuk duhet të influencohet nga interesa personale, private ose paragjykimet e personit që ka rol vendimmarrës në nxjerrjen e aktit. Sipas këtij parimi nuk duhet lejuar që punonjësit e një organi administrativ të marrin pjesë në marrjen e vendimeve, që kanë të bëjnë me interesat e tyre. Në rastin konkret evidentohet fakti se, kemi të bëjmë me rrethana të cilat rrezikojnë objektivitetin e vendimmarrësit. I gjithë procesi i konkurimit është një procedim administrativ, i cili përfundon me vendimin për përzgjedhjen nga ana e Bordit të Qendrës Spitalore Universitare, të njërës prej dy kandidaturave të suksesshme në konkurim dhe paraqitjen e tij për emërim, Rektorit të institucionit të arsimit të lartë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare. Nësë vendimmarrjet e ndërmjetme administrative pjesë e procedimit administrativ (procesi i konkurimit) kanë elementë kundërligjshmërie, atëherë edhe i gjithë procesi afektohet dhe vjen në kushtet e kundërligjshmërisë, fakt që reflektohet përfundimisht në vendimin për përzgjedhjen e kandidaturës fituese nga ana e Bordit të QSUT-së në këtë rast. Këto fakte të nxjerrin në konkluzionin se, vendimi që është marrë nga ana e Bordit të QSUT-së për përzgjedhjen e kandidaturës fituese është për rrjedhojë një akt administrativ i nxjerrë në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi sipas përcaktimeve të bëra në germën “a”, të nenit 115 dhe në gërmën “c”, të nenit 116, të Kodit të Procedurave Administrative, ai është nxjerrë në kundërshtim me procedurën e kërkuar nga ligji. Për sa më sipër, i kemi rekomanduar Ministrit të Shëndetësisë, në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”: “Inicimin e procedimit administrativ për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit përkatës, të marrë nga ana e Bordit të QSUT-së për përzgjedhjen e kandidaturës fituese, për pozicionin e Shefit të Shërbimit Laborator Klinik-Biokimik-Mikrobiologji dhe konstatimin e këtij vendimi si aboslutisht të pavlefshëm”. Efektivisht, megjithëse në mungesë të një përgjigje përfundimtare ndaj këtij rekomandimi, jemi vënë në dijeni nga ana e vet ankueses se vendimi përkatës, i marrë nga ana e Bordit të QSUT-së për përzgjedhjen e kandidaturës fituese në këtë konkurim është konstatuar si akt administrativ, absolutisht i pavlefshëm, nga ana e Kryetarit të Bordit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke bërë qëe gjithë procedura e konkurimit të shpallet e pavlefshme. Kjo zgjidhje është ajo ­çfarë me të drejtë kërkonte ankuesja dhe konsiderohet si një zgjidhje e suksesshme.