Login
Webmail

Të Drejtat

Pjesa e Gjakmarrjes

E drejta e jetës mbrohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 21), disa akte ndërkombëtare, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e OKB (1948), Konventa Europiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut e Këshilli i Europës (1950), si dhe Kodi Penal (nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 82, 83).

Jeta është një e drejtë, atribut themelor i qënies njerëzore dhe kur kjo jetë hiqet ose merret, në çfarëdo lloj mënyre, njeriu, në të njëjtën kohë, eleminohet si mbartës të drejtash dhe detyrimesh.

Gjatë viteve të tranzicionit rilindi dhe u zhvillua fenomeni i gjakmarrjes në Shqipëri. Ai është kthyer në një fenomen shumë shqetësues për shoqërinë tonë sepse cënon të drejtën më të rëndësishme të njeriut, të drejtën e jetës. Ndërkohë shqetësimin e këtij fenomeni dhe sidomos vitet e fundit po e vuajnë edhe disa vende të BE-së për shkak të numrit në rritje të azilkërkuesve shqiptar të cilët pretendojnë se u rrezikohet jeta në Shqipëri për shkak të këtij fenomeni. 

E Drejta e Lirisë së Personit

Liria e personit është një nga të drejtat themelore të njeriut. Ajo përfshin të drejtën për të mos u hequr dhe kufizuar liria, përveçse rasteve të parashikuar në ligj; të drejtën për të mos iu nënshtruar torturësdënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues; të drejtën për të mos u cënuar integriteti fizik; të drejtën për të zgjedhur vendbanimin dhe për të lëvizur lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit dhe për të dalë lirisht jashtë shtetit; të drejtën për të mos u kontrolluar personalisht ose banesa përveçse rasteve të parashikuara në ligj etj.

Këto të drejta mbrohen dhe garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, disa konventa ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut; Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Njeriut; Pakti ndërkombëtar lidhur me të drejtat civile dhe politike; Konventa kundër Torturës dhe dënimeve a trajtimeve të tjera mizore, çnjërëzore ose degraduese; Protokolli Opsional i Konventës kundër Torturës dhe Ndëshkimeve të tjera Çnjerëzore dhe Degraduese (OPCAT)”; nga Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale etj.

E Drejta për një Proces të Rregullt Ligjor

E drejta për një proces të rregullt ligjor paraqitet si një garanci për shtetasit ndaj veprimeve të padrejta të organeve të pushtetit nga njera anë dhe si detyrim i këtyre të fundit për të mos cënuar të drejtat dhe liritë e shtetasve pa siguruar respektimin e procedurave ligjore nga ana tjetër.

Procesi i rregullt ligjor është një karakterisitikë e pandashme e shtetit të së drejtës.

Mbrojtja që i afrohet individit nga klauzola e procesit të rregullt ligjor nuk është e kufizuar vetëm në të drejtat që përfshihen në Kushtetutë, por edhe në të drejtat e njohura nga ligji. Formulimi kushtetues i jep shtrirje të gjërë procesit të rregullt ligjor për çdo shkelje ligjore. Ai e identifikon procesin e rregullt ligjor si garantues jo vetëm ndaj veprimeve arbitrare që mund të kryejnë autoritetet shtetrore mbi lirinë, pronën dhe të drejtat e tyre Kushtetuese dhe ligjore të individit, por edhe të procedurave të drejta e të ndershme gjyqësore. Nga përmbajtja e nenit 42 të Kushtetutës rezulton se mbrojtja kushtetuese do të jetë e pranishme dhe e domosdoshme në çdo ndërhyrje në rast se realizohen dy kushte bazë që lidhen me cënimin e të drejtave e para, kërkohet që liria, prona, dhe të drejtat kushtetuese apo ligjore të jenë shkelur dhe e dyta, se ky cënim i të drejtave të jetë kryer pa i afruar një gjykim të rregullt dhe të drejtë ligjor.