Login
Webmail

Te nderuar,

 

Institucioni i Avokatit të Popullit, me mbështetjen e Zyrës së Ombudsmanit Danez dhe Institutit Danez për të Drejtat e Njeriut, ka hartuar Planin Strategjik tee institucionit, që përfshin periudhën 2019-2022. Nëpërmjet këtij Plani Strategjik, Avokati i Popullit synon krijimin dhe zhvillimin e një kulture të qeverisjes së mirë, e cila nënkupton administrim të mirë, transparencë dhe llogaridhënie të administratës publike para qytetarëve të Shqipërisë, si dhe forcim të përgjithshëm të sundimit të ligjit, elementë të domosdoshëm për funksionimin e demokracisë dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Me qëllim hartimin dhe miratimin e një dokumenti gjithëpërfshirës, e konsiderojmë të domosdoshme nisjen e një procesi të gjërë këshillimi publik me të gjithë aktorët dhe faktorët e ndryshëm të shoqërisë (ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike, shoqërinë civile dhe median), me qëllim marrjen e sugjerimeve dhe kontributeve reale për përmirësimin e mëtejshëm të këtij dokumenti strategjik.

Avokati i Popullit është i vetëdijshëm se nuk do të jetë i vetëm në realizimin e Planit Strategjik, pasi avancimi i axhendës së të drejtave të njeriut në Shqipëri kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve të cilët janë të dedikuar ndaj standarteve të të drejtave të njeriut. Fuqizimi i bashkëpunimit si dhe krijimi i marrëdhënieve të reja me aktorë të tjerë do të përbëjë një element thelbësor në punën e Avokatit të Popullit. Vetëm duke punuar së bashku dhe duke qenë sa më gjithëpërfshirës ndaj grupeve të ndryshme të shoqërisë, zëri ynë dhe i qytetarëve të cilëve ne u shërbejmë do të bëhet më i besueshëm dhe i fuqishëm.

Për gjithë sa më sipër, lutemi, dërgimin e komenteve dhe sugjerimeve në adresën elektronike të institucionit të Avokatit të Popullit ap@avokatipopullit.gov.al mundësisht brenda datës 20 nëntor 2018.

Mbetemi në pritje të sugjerimeve Tuaja!

Proçes i Këshillimit Publik