Login
Webmail

INSTITUCIONI I AVOKATIT TE POPULLIT KERKON NGA INSTITUCIONI HOMOLOG FRANCEZ SQARIM TE RRETHANAVE TE VDEKJES SE TE RIUT FLORENC BEQIRAJ

Avokatja e Popullit të Shqipërisë, i ka dërguar një kërkesë homologut të saj francez për të hetuar rreth ngjarjes së rëndë që rezultoi me vdekjen e emigrantit shqiptar Florenc Beqiraj.

Institucioni i Avokatit të Popullit, ashtu si gjithë opinion publik në Shqipëri mësoi me dhimbje rreth ngjarjes tragjike të 22 dhjetorit, në të cilën gjeti vdekjen i riu shqiptar Florenc Beqiraj.

Duke qenë një nga institucionet e vetme publike që operon brenda territorit shqiptar në sferën e mbrojtjes së qytetarëve nga diskriminimi, përndjekja, tortura etj, Avokati i Popullit mban gjithashtu marrdhënie të ngushta me homologët e vet në Europë dhe më gjerë.

Me interesimin direkt të Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, institucioni ynë menjëherë pas mësimit të ngjarjes, ka marrë kontakt me autoritetet homologe franceze si dhe ka kërkuar informacion nga Ministria jonë e Punëve të jashtme.
Në letrën që Avokatja i Popullit të Shqipërisë Erinda Ballanca i dërgon homologut francez, Jacques Toubon, shkruhet:

“…dëshiroj t’ju përcjell kërkesën time për ndjekjen dhe interesimin nga ana Juaj të sqarimit të rrethanave lidhur me rastitn e 23 vjeçarit shqiptar, Florenc Beqiraj, i cili ka humbur jetën në një spital francez me dt 22.12.2017, si pasojë e plagëve të marra, në rrethana ende të paqarta në Centre de Rétention Administratif du Canet, Marseille. Ky rast ka ngjallur një reagim të madh publik në Shqipëri, ku familja dhe opinioni publik pret një sqarim të plotë të rrethanave të kësaj ngjarje tragjike”.

Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri dhe Mbrojtësi i Të Drejtave të Njeriut në Francë janë institucione partnere në kuadrin e Rrjetit të Ombudsmanëve të Mesdheut dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë.