Login
Webmail

AVOKATI I POPULLIT, REAGIM PAS PROTESTËS SË SOTME DHE RASTEVE TË PËRPLASJEVE MES QYTETARËVE DHE POLICISË

 

Institucioni i Avokatit të Popullit e ka ndjekur me shqetesim dhe vëmendje të gjithë ecurinë e protestës së zhvilluar ditën e sotme nga ana e një numri qytetarësh dhe partish politike në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkohë që nga media janë raportuar episode sporadike përplasjesh fizike midis qytetarëve dhe forcave të Policisë së Shtetit, Avokati i Popullit është në fazën e një shqyrtimi të kujdesshëm të këtyre rasteve.

Ekspertë të Avokatit të Popullit po mbledhin informacion shkresërisht për të verifikuar nëse ka pasur tejkalim të kompetencave nga ana e efektivëve të Policisë, dhunë të pajustifikuar të ushtruar mbi protestuesit apo veprime të tjera që cënojnë të drejtën themelore të qytetarëve për t’u tubuar dhe protestuar normalisht në një vend demokratik.

Gjithashtu, institucioni i Avokatit të Popullit po shqyrton me vëmendje arsyet e angazhimit të disa efektivëve të Policisë së Shtetit në fotografimin, filmimin apo mbledhjen e llojeve të tjera të evidencës pamore nga protestuesit.

Avokati i Popullit çmon se dokumentimi fotografik nga ana e Policisë për elementët që mund të shkaktojnë shkelje të rendit apo forma të tjera shkeljesh ligjore, është një praktikë normale dhe e kuptueshme e punës së institucionit ligjzbatues të Policisë së Shtetit.

Mirëpo nga ana tjetër, Avokati i Popullit, bën thirrje që autoritetet të tregohen të kujdesshme për të përdorur dokumentet vizive të siguruara përmes fotografimit apo vetem per qëllimin qe ligji u lejon këtë të drejtë.

Gjithashtu Avokati i Popullit vlerëson se e drejta për t’u tubuar të lirë dhe për të protestuar në përputhje me ligjin është një e drejtë kushtetuese për qytetarët shqiptarë, si dhe një e drejtë themelore e njeriut.

Shkelja e kësaj të drejte në një formë apo në një formë tjetër, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, do të merret në konsideratë dhe do të ndiqet konform procedurave ligjore që i njeh Kushtetuta dhe ligji, institucionit të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit siguron se do trajtojë me përparësi në përputhje me ligjin çdo ankesë të bërë nga qytetarët për raste të lidhura me zhvillimet e sotme