Login
Webmail

Ligji për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim

 

LIGJ Nr. 9888, datë 10.3.2008 

Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr.8328, datë 16.4.1998

“PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM”, të ndryshuar

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Titulli i ligjit ndryshohet si më poshtë:

“PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”

Neni 43 ndryshohet si më poshtë:

Neni 43

Hyrja në institucion

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga:
Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Zëvendëskryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, deputetët, Zëvendësministri i Drejtësisë, Avokati i Popullit, komisionerët dhe ndihmëskomisionerët e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe zëvendësit e tij, Drejtori i Policisë së Burgjeve, drejtori dhe inspektorët e kontrollit të brendshëm të burgjeve, anëtarët e komisionit mbikëqyrës të ekzekutimit të vendimeve penale, gjyqtarët dhe prokurorët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si dhe avokatët e të burgosurve dhe të paraburgosurve.
Nuk është i nevojshëm autorizimi për ata që shoqërojnë personat e përmendur në paragrafin e mësipërm, por gjithmonë jo më shumë se dy.
Personat e tjerë, që nuk parashikohen në paragrafin e parë, mund të hyjnë në institucion vetëm me autorizim të drejtorit të institucionit.
Këta persona, në rast refuzimi pa shkaqe të arsyeshme të dhënies së autorizimit nga drejtori i institucionit, kanë të drejtë të ankohen te Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Për përfaqësuesit e komuniteteve fetare zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 42 të këtij ligji.”.

Neni 36

Pas nenit 74 shtohen nenet 74/1, 74/2 dhe 74/3 si më poshtë:

Neni 74/1

Mekanizmi Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues dhe kompetencat e tij

Avokati i Popullit, nëpërmjet Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues, në vijim Mekanizmi Kombëtar, që vepron si strukturë e veçantë nën autoritetin e tij, mbikëqyr zbatimin dhe realizimin e këtij ligji për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve.
Mekanizmi Kombëtar ka këto kompetenca:

  • a): vëzhgon rregullisht trajtimin e individëve, që u është hequr liria në vendet e ndalimit, arrestimit ose burgosjes, me qëllim që të forcohet, kur është e nevojshme, mbrojtja e individëve nga tortura, trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues;
  • b): paraqet rekomandime për organet përkatëse, me qëllim që të përmirësohen trajtimi dhe kushtet e individëve që u është hequr liria dhe të parandalohet tortura dhe trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues.

Neni 74/2

Garancitë në veprimtaritë e Mekanizmit Kombëtar

Mekanizmit Kombëtar, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i garantohet:

  • a): marrja e çdo informacioni në lidhje me numrin e individëve që u është hequr liria, në vendet e privimit të lirisë, si dhe numrin e vendeve dhe vendndodhjen e tyre;
  • b): marrja e të gjithë informacionit për trajtimin e këtyre individëve, si dhe për kushtet e tyre të ndalimit;
  • c): hyrja lirisht në të gjitha vendet dhe mjediset ku është kufizuar liria e individit;
  • ç): kryerja e intervistave private, pa dëshmitarë, me individët që u është hequr liria, personalisht ose me një përkthyes kur është e nevojshme, si edhe me çdo individ tjetër që mund të japë informacionin e nevojshëm;
  • d): zgjedhja lirisht e vendeve që kërkon të vizitojë dhe e individëve që kërkon të intervistojë.

Neni 74/3

Format e mbikëqyrjes

Mbikëqyrja e Mekanizmit Kombëtar realizohet nëpërmjet:

  • a): pranimit të kërkesave ose ankesave nga të dënuarit ose të paraburgosurit me shkrim ose drejtpërdrejt;
  • b): marrjes së informacionit, ankesave ose kërkesave të të dënuarit, ose nga individë që kanë statusin e vizitorit apo të organeve shtetërore ose organizatave joqeveritare, të cilat kanë kontrolluar apo vizituar institucionin, sipas kompetencës që u njeh ligji, si dhe nga avokati i të dënuarit ose të paraburgosurit;
  • c): kërkimit të informacioneve nga administrata e institucionit;
  • ç): verifikimit të dokumenteve, objekteve, pajisjeve ose mjediseve, që kanë lidhje me të dënuarin ose me të paraburgosurin, brenda dhe jashtë institucionit.

Për realizimin e procesit të mbikëqyrjes, Mekanizmi Kombëtar mund të marrë edhe specialistë të fushave përkatëse. Në çdo rast dhe pavarësisht nëse konstatohen shkelje e parregullsi gjatë verifikimit, specialistët e këtij mekanizmi mbajnë procesverbal, i cili nënshkruhet nga drejtori i institucionit ose i ngarkuari prej tij, me të drejtën e pasqyrimit të vërejtjeve.”.

Neni 38

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.