Login
Webmail

Ligji për të Drejtën e Informimit

 

LIGJI Nr. 119/2014 “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT”

 

Më 18 shtator 2014 Kuvendi miratoi ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i cili hyri në fuqi më 17.10.2014. Miratimi i këtij ligji shfuqizoi ligjin Nr. 8503, datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, i cili në nenin 18, i caktonte Avokatit të Popullit rolin e kujdestarit për zbatimin në praktikë të këtij ligji. Megjithatë, sikurse përmban neni 24, pika 7-ë i ligjit të ri nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ky ligj “nuk cenon kompetencat e Avokatit të Popullit, lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e të drejtave civile, sipas ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”.

Disa nga risitë kryesore që sjell ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” janë:

  • Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr një kompetencë ekstra dhe emërtimi i tij ndryshon në “Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili vlerësohet si mekanizmi më efektiv për të siguruar zbatimin në praktikë të kësaj të drejte;
  • Shkurtimin e afateve të trajtimit të kërkesës në 10 ditë duke saktësuar rastet e zgjatjes së këtij afati dhe konsideruar refuzim çdo mostrajtim të saj;
  • Shtimin e kategorive të informacionit pa kërkesë, pjesë e programit të transparencës që vihen në dispozicion të publikut. Mosvënia në zbatim e këtij programi dhe mos rishikimi i tij vlerësohen si kundërvajtje administrative;
  • Garantimin e aksesit në informacionin publik dhe jo vetëm njohjen me dokumentet zyrtare. Informacion publik është çdo e dhënë e regjistruar ne çfarëdolloj forme e formati i mbajtur nga autoriteti publik;
  • Saktësimin e kategorive të subjekteve të detyrueshme për zbatimin e këtij ligji, duke shtuar shoqëritë tregtare ku shteti zotëron shumicën e aksioneve si edhe çdo person fizik ose juridik, që ushtron funksione publike në fusha të tilla si: arsimi, shëndetësia, energjia, telekomunikacioni e të tjera si këto;
  • Krijimin e figurës së re, koordinatorit për të drejtën e informimit të caktuar në çdo autoritet publik;
  • Përcaktimin në mënyrë të detajuar të veprimeve ose mosveprimeve, të cilat vlerësohen si kundërvajtje administrative, sanksionet, subjektet si dhe rastet kur informacioni mund të kufizohet, nëse është e domosdoshme dhe proporcionale në raport me dëmin që mund t’u shkaktojë disa të drejtave te tjera, duke mos i lënë shteg subjektivizmit dhe abuzimit me interpretimin e ligjit.

 

Pjesë nga Ligji nr. 119/2014 “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT”

 

KREU II

E DREJTA E INFORMIMIT DHE TRANSPARENCA

Neni 3

E drejta e informimit

1. Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet.

2. Autoriteti publik është i detyruar të informojë kërkuesin nëse ka ose jo në zotërim informacionin e kërkuar.

3. Çdo person ka të drejtë të njihet me informacionin publik, nëpërmjet dokumentit origjinal ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.

4. Informacioni publik që i është dhënë një personi, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër që e kërkon atë, me përjashtim të rastit kur informacioni përmban të dhëna personale të subjektit, në përputhje me nenin 17 të këtij ligji.

Neni 9

Informacioni i dhënë më parë

1. Autoriteti publik bën të mundur që informacioni, i cili i është dhënë të paktën një herë një kërkuesi, të bëhet i disponueshëm në mënyrën më praktike të mundshme për të gjithë personat e tjerë që mund ta kërkojnë në të ardhmen.

2. Kërkesat për informim për informacione të regjistruara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve plotësohen jo më vonë se 3 ditë pune nga momenti i paraqitjes së kërkesës.

Neni 14

Mënyrat e dhënies së informacionit

1. Të gjitha kërkesat për informacion trajtohen, si rregull, nëpërmjet konsultimit pa pagesë të informacionit në mjediset e autoritetit publik, nëpërmjet portalit unik qeveritar ealbania.al apo, kur është rasti, nëpërmjet faqes zyrtare të autoritetit publik në internet.

2. Kërkesat, që lidhen me dokumente të shkruara, trajtohen duke vënë në dispozicion të kërkuesit:

a) një kopje të plotë, në format të njëjtë me atë të përdorur nga autoriteti publik, përveç rasteve të veçanta;

b) një kopje të plotë të informacionit nëpërmjet postës elektronike, kur informacioni gjendet në një formë të tillë ose mund të konvertohet.

3. Lidhur me kërkesat që lidhen me forma të tjera, informacioni jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik.

4. Në çdo rast, vendimi i refuzimit për formën e kërkuar jepet me shkrim dhe i arsyetuar.

Neni 15

Afati për marrjen e informacionit

1. Autoriteti publik trajton kërkesën për informim, duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj, përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe.

2. Kur autoriteti publik që merr kërkesën për informim ia dërgon atë një autoriteti tjetër, ai kthen përgjigje jo më vonë se 15 ditë pune nga dita e mbërritjes së kërkesës në autoritetin e parë.

3. Afati i parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, mund të zgjatet me jo më shumë se 5 ditë pune për një nga shkaqet e mëposhtme:

a) nevoja për të kërkuar dhe shqyrtuar dokumente të shumta e voluminoze;

b) nevoja për t’i shtrirë kërkimet në zyra dhe mjedise që janë fizikisht të ndara nga zyra qendrore e autoritetit;

c) nevoja për t’u konsultuar me autoritete të tjera publike përpara marrjes së një vendimi për plotësimin ose jo të kërkesës. Vendimi për zgjatjen e afatit i njoftohet menjëherë kërkuesit.

4. Në çdo rast, mostrajtimi i kërkesës për informim brenda afateve të sipërpërmendura do të konsiderohet refuzim.

5. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për njohjen me informacionin arkivor të çdo lloji.

KREU IV

KUFIZIMI I SË DREJTËS PËR INFORMIM

Neni 17

Kufizime

1. E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:

a) të drejtën për një jetë private;

b) sekretin tregtar;

c) të drejtën e autorit;

ç) patentat.

Kufizimi i së drejtës së informimit, për shkak të interesave të parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të kësaj pike, nuk zbatohet kur titullari i këtyre të drejtave ka dhënë vetë pëlqimin për dhënien e informacionit përkatës ose kur në momentin e dhënies së informacionit ai është konsideruar autoritet publik në bazë të parashikimeve të këtij ligji. Pavarësisht nga sa parashikohet në këtë pikë, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij.

2. E drejta e informimit kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtëm:

a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e klasifikuar;

b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale;

c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor; ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike;

d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit;

dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor;

e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;

ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare ose ndërqeveritare.

Pavarësisht nga sa parashikohet në paragrafin e parë, të pikës 2, të këtij neni, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij. Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij neni, nuk zbatohet kur hetimi administrativ, në kuadër të një procedimi disiplinor, dhe procedurat e inspektimit e të auditimit të autoriteteve publike kanë përfunduar.

Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “d” dhe “dh”, të këtij neni, nuk zbatohet kur të dhënat përkatëse janë fakte, analiza të fakteve, të dhëna teknike ose të dhëna statistikore.

Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronja “e”, të këtij neni, nuk zbatohet pasi politikat janë bërë publike.

3. E drejta e informimit kufizohet, nëse është e domosdoshme, proporcionale dhe në qoftë se përhapja e informacionit do të shkelte sekretin profesional të garantuar nga ligji.

4. E drejta e informimit kufizohet edhe kur, pavarësisht nga ndihma e dhënë nga autoriteti publik, kërkesa mbetet e paqartë dhe bëhet i pamundur identifikimi i informacionit të kërkuar.

5. E drejta e informimit nuk refuzohet automatikisht kur informacioni i kërkuar gjendet në dokumente të klasifikuara “sekret shtetëror”. Në këtë rast, autoriteti publik, të cilit i është dërguar kërkesa për informim, fillon menjëherë procedurën e rishikimit të klasifikimit pranë autoritetit publik që ka urdhëruar klasifikimin, sipas ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, të ndryshuar. Autoriteti publik njofton menjëherë kërkuesin për fillimin e procedurës për rishikimin e klasifikimit, sipas ligjit, dhe vendos shtyrjen e afatit për dhënien e informacionit brenda 30 ditëve pune. Në çdo rast, vendimi për trajtimin ose jo të kërkesës për informim merret dhe arsyetohet në bazë të kritereve të këtij neni.

6. Nëse kufizimi prek vetëm një pjesë të informacionit të kërkuar, pjesa tjetër nuk i refuzohet kërkuesit. Autoriteti publik tregon qartë pjesët e dokumentacionit përkatës që janë refuzuar, si dhe në bazë të cilës pikë të këtij neni është bërë ky refuzim.

7. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për njohjen me informacionin arkivor të çdo lloji, pavarësisht nga parashikimet e ligjit për arkivat.

 

KREU VI

KOMPETENCAT DHE PROCEDURAT PËR SHQYRTIMIN E ANKESAVE

Neni 24

Procedurat për shqyrtimin e ankesave

1. Çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative.

2. Ankimi administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:

a) ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit;

b) ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e informacionit.

3. Me marrjen e ankesës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ia kalon atë strukturës që merret me të drejtën e informimit, e cila verifikon faktet dhe bazën ligjore të ankesës. Për këtë qëllim, ai mund t’u kërkojë ankuesit dhe autoritetit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim, si dhe të informohet nga çdo person dhe burim tjetër. Kur e sheh të nevojshme, komisioneri zhvillon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.

4. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga dita kur është dorëzuar ankimi.

5. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos:

a) mospranimin e ankesës kur:

i) ka kaluar afati i parashikuar në pikën 2 të këtij neni;

ii) ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;

iii) nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit;

b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme;

c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;

ç) afatin, brenda të cilit autoriteti publik duhet të zbatojë urdhrin.

6. Në qoftë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk merr vendim përpara mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 4, të këtij neni, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.

7. Procedura administrative e parashikuar në këtë nen nuk cenon kompetencat e Avokatit të Popullit, lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e të drejtave civile, sipas ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”.