Login
Webmail

Kuadri Ligjor Mbi të Cilin Funksionon Mekanizmi Kombëtar Për Parandalimin e Torturës

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) funksionon bazuar në legjislacionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Legjislacioni shqiptar parashikon që në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë se "askush nuk mund t'i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues" (neni 25) dhe se "Askujt nuk mund t'i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, të kryerjes së shërbimit ushtarak, të një shërbimi që rrjedh nga një gjendje lufte, nga një gjendje e jashtëzakonshme ose nga një fatkeqësi natyrore, që kërcënon jetën ose shëndetin e njerëzve" (neni 26).

Puna e MKPT-së shkon në të njëjtën frymë, siç edhe shprehet në nenin 15/1 të Kushtetutës, ku parashikohet se "Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik". Sipas nenit 28 të Kushtetutës "Kushdo, të cilit i hiqet liria, ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton, për shkaqet e kësaj mase, si dhe për akuzën që i bëhet. Personi, të cilit i është hequr liria, duhet të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin, si dhe t'i jepet mundësia për realizimin e të drejtave të tij. Personi, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, paragrafi 2, nënparagrafi c, duhet të dërgohet brenda 48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i marrjes së dokumenteve për shqyrtim. I paraburgosuri ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjyqtarit. Ai ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të procedohet i lirë përkundrejt një garancie pasurore sipas ligjit. Në të gjitha rastet e tjera, personi, të cilit i hiqet liria në rrugë jashtëgjyqësore, mund t'i drejtohet në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos brenda 48 orëve për ligjshmërinë e kësaj mase. Çdo person, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të tij”.

Në frymën e Protokollit Opsional të Konventës kundër Torturës dhe Dënimeve të tjera Çnjerëzore dhe Degraduese (OPCAT), sipas neneve 17-20, MKPT-së dhe personelit në shërbim të tij i garantohet pavarësia funksionale. Kompetencat minimale, po sipas këtij intrumenti, janë:

  • ​të vëzhgojë rregullisht trajtimin e personave, që u është hequr liria në vendet e ndalimit që përmenden në nenin 4, me qëllim që të forcohet, kur është e nevojshme, mbrojtja e tyre nga tortura, trajtimi ose dënimi i egër çnjerëzor ose poshtërues;
  • t'u bëjë rekomandime organeve përkatëse, me qëllim që të përmirësohet trajtimi dhe kushtet e personave, që u është hequr liria dhe të parandalohet tortura dhe trajtimi ose dënimi i egër çnjerëzor dhe poshtërues, duke marrë parasysh normat përkatëse të Kombeve të Bashkuara;
  • të bëjë propozime dhe vërejtje në lidhje me legjislacionin ekzistues dhe në hartim e sipër.

Sipas ligjit nr. 9888, datë 10.3.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim” (të ndryshuar), neni 74/1, MKPT vepron si strukturë e veçantë nën autoritetin e Avokatit të Popullit, mbikëqyr zbatimin dhe realizimin e këtij ligji për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe ka këto kompetenca:

  • vëzhgon rregullisht trajtimin e individëve, që u është hequr liria në vendet e ndalimit, arrestimit ose burgosjes, me qëllim që të forcohet, kur është e nevojshme, mbrojtja e individëve nga tortura, trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues;
  • paraqet rekomandime për organet përkatëse, me qëllim që të përmirësohen trajtimi dhe kushtet e individëve që u është hequr liria dhe të parandalohet tortura dhe trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues.

Po kështu, në nenin 74/2, të të njëjtit ligj, MKPT-së, gjatë ushtrimit të detyrës, i garantohet:

  • marrja e çdo informacioni në lidhje me numrin e individëve që u është hequr liria, në vendet e privimit të lirisë, si dhe numrin e vendeve dhe vendndodhjen e tyre;
  • marrja e të gjithë informacionit për trajtimin e këtyre individëve, si dhe për kushtet e tyre të ndalimit;
  • hyrja lirisht në të gjitha vendet dhe mjediset ku është kufizuar liria e individit;
  • kryerja e intervistave private, pa dëshmitarë, me individët që u është hequr liria, personalisht ose me një përkthyes kur është e nevojshme, si edhe me çdo individ tjetër që mund të japë informacionin e nevojshëm;
  • zgjedhja lirisht e vendeve që kërkon të vizitojë dhe e individëve që kërkon të intervistojë.
  •  

Format e mbikëqyrjes së MKPT-së parashikohen në nenin 74/3, të cilat realizohen nëpërmjet:

  • pranimit të kërkesave ose ankesave nga të dënuarit ose të paraburgosurit me shkrim ose drejtpërdrejt;
  • marrjes së informacionit, ankesave ose kërkesave të të dënuarit, ose nga individë që kanë statusin e vizitorit apo të organeve shtetërore ose organizatave joqeveritare, të cilat kanë kontrolluar apo vizituar institucionin, sipas kompetencës që u njeh ligji, si dhe nga avokati i të dënuarit ose të paraburgosurit;
  • kërkimit të informacioneve nga administrata e institucionit;
  • kryerja e intervistave private, pa dëshmitarë, me individët që u është hequr liria, personalisht ose me një përkthyes kur është e nevojshme, si edhe me çdo individ tjetër që mund të japë informacionin e nevojshëm;
  • verifikimit të dokumenteve, objekteve, pajisjeve ose mjediseve, që kanë lidhje me të dënuarin ose me të paraburgosurin, brenda dhe jashtë institucionit.

Për realizimin e procesit të mbikëqyrjes, MKPT mund të marrë edhe specialistë të fushave përkatëse. Në çdo rast dhe pavarësisht nëse konstatohen shkelje e parregullsi gjatë verifikimit, specialistët e këtij mekanizmi mbajnë procesverbal, i cili nënshkruhet nga drejtori i institucionit ose i ngarkuari prej tij, me të drejtën e pasqyrimit të vërejtjeve.”

Sipas ligjit Nr. 44/2012 “Për Shëndetin Mendor”, Neni 31, “Avokati i Popullit, nëpërmjet Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit Çnjerëzor dhe Poshtërues, që vepron si strukturë e veçantë nën autoritetin e tij, vëzhgon rregullisht, me anë të inspektimeve periodike, respektimin e të drejtave dhe të standardeve që u ofrohen personave me çrregullime të shëndetit mendor në mjediset e shërbimit të shëndetit mendor të specializuar me shtretër, si dhe paraqet rekomandime në organet përkatëse, me qëllim përmirësimin e trajtimit dhe kushteve të pacientëve dhe sigurimin e respektimit të plotë të të drejtave të njeriut në institucionet e kujdesit të shëndetit mendor.” Kjo e drejtë e sanksionuar në ligj, ushtrohet duke i garantuar MKPT-së hyrjen lirisht në të gjitha vendet dhe mjediset e institucioneve të shërbimit të shëndetit mendor, si dhe i garantohet marrja e çdo informacioni, sipas legjislacionit në fuqi.

Në zbatim të ligjit Nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, (i ndryshuar), neni 19/1, anëtarët e MKPT-së, si persona të autorizuar nga Avokati i Popullit, “kanë të drejtë të hyjnë në çdo kohë, pa kufizim e pa autorizim paraprak, por duke vënë në dijeni titullarin e institucionit, në të gjitha institucionet e administratës publike, në burgje, në vende ku policia ose prokuroria mbajnë persona të shoqëruar, të ndaluar apo të arrestuar, (të paraburgosurit), në reparte apo institucione shtetërore, spitale psikiatrike, në azile, në shtëpi fëmije, si dhe në çdo vend tjetër kur ka të dhëna dhe çmon se ekziston mundësia e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut.” Hyrja në këto mjedise, sipas po të njëjtit nen, mund të bëhet jo vetëm në kuadër të hetimit të një ankese drejtuar Avokatit të Popullit, por edhe për qëllime inspektimi apo studimit.

MKPT funksionon duke u udhëhequr nga parimet e instrumenteve ndërkombëtare si më poshtë vijon:

Lista me Instrumentet e lartpërmendura e të drejtave që udhëheqin punën e Mekanizmit nuk është shteruese, pasi ka një sërë rekomandimesh, veçanërisht të Këshillit të Evropës, të cilët janë të rëndësishëm në garantimin e të drejtave të personave të privuar nga liria. Megjithatë, këta instrumente, janë “gurët e themelit” për punën tanimë disa vjeçare të MKPT-së në Shqipëri.

Gjithashtu MKPT funksionon në përputhje me legjislacionin vendas, që është një mjet në duart e qytetarëve shqiptarë për të gëzuar të drejtat e tyre të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 

Sërish, sa më lartë, nuk është një listë shteruese, pasi ka një sërë Vendimesh të Këshillit të Ministrave, si edhe manuale dhe dokumente të tjera pune, zbatimi i të cilave është një garanci për gëzimin e të drejtave.