Login
Webmail

AVOKATJA E POPULLIT,znj ERINDA BALLANCA ZHVILLON TAKIM ME AMBASADOREN E GREQISË NË TIRANË

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca priti dje në një takim ambasadoren greke në Tiranë, znj. Eleni Surani dhe zv.Ambasadorin Grigoris Delavekuras.

Takimi u fokusua në diskutime në lidhje me çështjet e të drejtave të njeriut, respektimin e tyre dhe marrdhëniet midis autoriteteve shtetërore dhe individëve.

Ambasadorja greke e përgëzoi znj.Ballanca për detyrën e re dhe i uroi asaj suksese në këtë vizitë të parë kortezie që pas emërimit të Avokates së Popullit.

Po ashtu, Ambasadorja greke i shprehu Avokates së Popullit konsideratën e saj për vëmendjen që institucioni i Avokatit të Popullit po tregon në lidhje me të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe sidomos ato që lidhen me respektimin e të drejtës së pronës në rastet e shpronësimeve si rezultat i projekteve infrastrukturore.

Avokatja e Popullit nga ana e saj ndau pikëpamjen se ndërkohë që Shqipëria e ka të nevojshme të zbatojë projektet e saj zhvilluese dhe modernizuese të infrastrukturës, është e domosdoshme që ky proces të kryhet në respekt të të drejtës së çdo individi për t’u kompensuar në mënyrë të drejtë dhe të ndershme.

Zonja Ballanca shprehu bindjen se asnjë nga proceset e shpronësimeve në vend nuk ka ndonjë prapaskenë apo axhendë diskriminimi etnik dhe kërkoi që vendet mike të tregohen të zëshme dhe aktive për ta ndihmuar Shqipërinë të jetë një vend që i respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të vet pavarësisht origjinës së tyre.

Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi duke lënë të hapur mundësinë për takime dhe marrdhënie të tjera pozitive në të ardhmen.