Login
Webmail

AVOKATJA E POPULLIT, ZNJ.ERINDA BALLANCA MERR PJESË NË DY KONFERENCA TË RËNDËSISHME NDËRKOMBËTARE NË STAMBOLL

Me ftesë të homologut turk z. Şeref Malkoç, Avokatja e Popullit, Znj. Erinda Ballanca mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Ombudsmanëve, e cila po zhvillohet në Stamboll të Turqisë.

Konferenca ndërkombëtare, e organizuar nga Institucioni i Ombudsmanit turk në datat 25-26 shtator 2017, këtë vit synon të diskutojë mbi rolin e institucioneve të Ombudsmanit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, promovimin e parimeve të qeverisjes së mirë përmes perspektivave të ndryshme, si dhe forcimin e bashkëpunimit institucional duke bërë bashkë Ombudsmanë nga Lindja dhe Perëndimi.

Avokatja e Popullit e Shqipërisë është ftuar të mbajë një fjalim në panelin që fokusohet në problemet e hasura në procesin e shqyrtimit të ankesave dhe hapat e duhura për zgjidhjen e tyre në mënyrë që Institucionet e Ombudsmanit të jenë sa më pranë qytetarëve të tyre dhe të ofrojnë për ta zgjidhje të shpejtë, të drejtë dhe efektive.

Zonja Ballanca pasi bëri një pasqyrë të plotë të mekanizmit të Institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, u shpreh se “raportet ndërkombëtare kanë ngritur si shqetësim dhe komentuar në mënyrë të vazhdueshme nivelin e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve kushtetuese në Shqipëri sikundër është edhe Avokati i Popullit, duke i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë marrjen e një roli specifik për të monitoruar në mënyrë sistematike nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucioneve të pavaruara kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj”.

Gjithashtu, Avokatja e Popullit shtoi se institucioni që ajo drejton por në përgjithësi çdo institucion që ka për mision mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut, “duhet të jetë në gjendje të veprojë në mënyrë të tillë që ta bëjë administratën publike më të ndjeshme ndaj opinionit publik dhe më të përgjegjshme ndaj kërkesave për drejtesi dhe besueshmëri”.

“Me fjalë të tjera, Avokati i Popullit duhet të përpiqet, që me bashkëpunimin e zyrtarëve publikë, të sjellë një administratë me fytyrë njerëzore”, tha Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.

Temat kryesore të diskutimeve në këtë konferencë u fokusuan ndër të tjera në rolin dhe efektivitetin e Institucioneve të Ombudsmanit, problemet që hasen gjatë shqyrtimit të ankesave dhe hapat që duhen ndërmarrë për zgjidhjen e tyre, si dhe lufta kundër ksenofobisë, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes.

Gjithashtu, Avokatja e Popullit gjatë qëndrimit në Turqi, mori pjesë edhe në Takimin e përvitshëm të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, presidencën e së cilës e ka Shqipëria.

Avokatja e Popullit, znj.Erinda Ballanca mbajti fjalën përshëndetëse në të cilën paraqiti një ekspoze të situatës së të drejtave të njeriut në rajonin e madh ku përfshihen vendet mesdhetare në anëtarësinë e këtij organizmi të rëndësishëm.
Ajo bëri thirrje për rritje të solidaritetit dhe bashkëpunimit midis institucioneve të Avokatit të Popullit në të gjitha vendet e Mesdheut, si mënyra më e mirë për ta shpënë përpara axhendën humaniste dhe civilizuese të të drejtave të njeriut.