Login
Webmail

AVOKATJA E POPULLIT ZHVILLON BASHKËBISEDIM ME STUDENTËT RRETH TË DREJTAVE TË KOMUNITETIT LGBTI NË SHQIPËRI

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë në një forum të hapur me studentë dhe pedagogë të Departamentit të Sociologjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale nga Universiteti i Tiranës.

Forumi i cili kishte për tematikë të drejtat e komunitetit LGBTI në Shqipëri, u zhvillua në ambientet e ekspozitës “LGBTI Pride Photo Aëard” që po qëndron e hapur në Galerinë Zeta.

Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi të hapur ku pjesëmarrësit ofronin pikëpamjet e tyre rreth mënyrës sesi komuniteti LGBTI perceptohet në Shqipëri, të drejtat e tyre në kuadrin e të drejtave të njeriut, paragjykimet me të cilat ata përballen etj.

Avokatja e Popullit përgëzoi organizatorët për nismën dhe ndau me studentët përvojat e saj nga puna në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti.

Ajo theksoi nevojën që shoqëria jonë të tregojë emancipimin e saj duke shmangur paragjykimet apo përndjekjen ndaj anëtarëve të këtij komuniteti dhe bëri thirrje që institucionet arsimore të bëjnë sa më shumë me edukimin e të rinjve me kulturën e tolerancës, mirëkuptimit dhe lirisë së zgjedhjes.

“Askush nuk duhet të ndjehet i përçmuar apo i veçuar në shoqërinë tonë për asnjë shkak që lidhet me të drejtën e gjithsecilit për t’u shprehur dhe realizuar si qënie njerëzore”, u shpreh avokatja Ballanca.

Avokatja e Popullit shprehu garancinë se institucioni që ajo drejton do të vazhdojë të jetë në ballë të përpjekjeve për t’i siguruar këtij komuniteti avancim të vazhdueshëm në rrugën e tyre të gjatë për barazi dhe dinjitet.

Studentët dhe Avokatja e Popullit më pas shkëmbyen pyetje dhe përgjigje për një seri çështjesh që cekin të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe marrdhëniet midis institucioneve dhe individit.