Login
Webmail

AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESË NË KONFERENCËN SHKENCORE ME FOKUS NË TË DREJTËN PUBLIKE

Avokatja e Popullit mori pjesë në Konferencën shkencore ndërkombëtare “Zhvillime dhe risi në të drejtën publike” të organizuar nga Departamenti i së Drejtës Publike të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Universiteti italian i Salentos.

E ftuar në cilësinë e titullares së njërit prej institucioneve kushtetuese në Shqipëri, por edhe për shkak të karrierës dhe edukimit të lidhur me drejtësinë, avokatja Ballanca u ftua të mbajë një fjalë përshëndetëse në hapjen e punimeve të kësaj konference ku merrnin pjesë personalitete akademike si dhe studiues të drejtësisë vendas dhe të huaj.

Avokatja e Popullit theksoi në fjalën e saj nevojën që ka sot Shqipëria për mendimin shkencor në fushën e drejtësisë dhe jo vetëm. Ajo shprehu opinionin që zëri dhe fryma kritike e institucioneve tona akademike në fushën e drejtësisë të ndjehen edhe në proceset e mëdha shndërruese që kalon shoqëria jonë, siç është për shembull edhe reforma në drejtësi.

“Kontributi i personaliteteve tona akademike dhe mendimit shkencor nuk ka pse të mos jetë i pranishëm në procese të tilla, të cilat jo vetëm janë të mirëpritura por kanë nevojë edhe të ndihmohen për t’u konsoliduar dhe përsosur”, u shpreh zonja Ballanca.

Ajo gjithashtu përfitoi nga rasti për të vënë në dukje sesi zëri i studiuesve dhe shkollarëve mund të dëgjohet edhe për të nxjerrë në pah nevojën e shtimit të stafeve në gjykatat tona, si një përpjekje për të rritur efikasitetin e tyre.

“Të eksplorojmë së bashku itineraret që do ta bëjnë ligjin tonë më të drejtë dhe shërbimin e tij ndaj shoqërisë më të efektshëm”, tha në mbyllje të fjalës së saj Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.