Login
Webmail

AVOKATJA E POPULLIT SHPREH VULLNETIN PËR BASHKËPUNIM NË MBROJTJE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT, NË NJË TAKIM ME DREJTUESIT E RINJ TË BURGJEVE

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, u takua dhe përshëndeti sot drejtuesit e rinj të sapoemëruar të Institucioneve të Vuajtjes së Dënimit, të cilët janë në fazën përgatitore dhe trajnuese përpara marrjes së detyrës.

Një nga detyrimet ligjore të Institucionit të Avokatit të Popullit është edhe mbikëqyrja e respektimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vendet e paraburgimit dhe në burgje, përmes Mekanizmit Kombëtar kundër Torturës i cili vepron brenda institucionit të Avokatit të Popullit.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Avokatja e Popullit i njohu drejtuesit e rinj me rëndësinë që ka respektimi i konventave ndërkombëtare të nënshkruara nga Shqipëria në kuadrin e respektimit të të drejtave të të dënuarve në burgje.

“Duke ju uruar suksese, dëshiroj t’ju siguroj se Institucioni i Avokatit të Popullit do të vijojë të punojë për të garantuar mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshëm të individit nga veprimet dhe mosveprimet e parregullta të administratës publike” u tha të pranishmëve zonja Ballanca.

Ajo shprehu kënaqësinë që pjesa dërrmuese e të zgjedhurve në konkurset për detyrën e drejtuesve të burgjeve, ishin ish-ushtarakë në lirim duke vlerësuar lart meritat dhe natyrën e edukimit të ushtarakut përmes disiplinës, rregullit dhe zbatimit rigoroz të ligjit.