Login
Webmail

 

Promovimi i kulturës për të kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut është me rëndësi jetike

 

E martë, 12 dhjetor 2017- Me rastin e 69 vjetorit të Deklaratës së Drejtave të Njeriut, Avokati i Popullit në bashkëpunim me OKB-në mban sot konferencën vjetore me fokus të drejtat e njeriut. Avokati i Popullit është institucioni i parë i pavarur kombëtar për të drejtat e njeriut në Shqipëri me detyrën për të luajtur një rol mbikëqyrës publik mbi çdo shkelje të të drejtave të njeriut nga administrata publike.

Fokusi i konferencës është te të drejtat e njeriut të fëmijëve, grave dhe njerëzve në lëvizje, në kontekstin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Axhendës së Integrimit në BE. Gjatë Konferencës, folësit theksuan nevojën për mbështetje politike për Avokatin e Popullit, sigurimin e buxheteve dhe burimeve të mjaftueshme për të kryer rolin e tij, nevojën për të arritur kryesisht tek grupet më të përjashtuara dhe në nevojë, mbështetje për sisteme të fuqishme të menaxhimit të të dhënave etj.
Në hapje të Konferencës, Avokatja e Popullit, Znj. Erinda Ballanca theksoi: “Në emër të ligjit, shpesh shkelen të drejtat e njerëzve. Konform neneve të shtypura në letër, shpesh dhunohen shpresa, shkatërrohen ekonomi, linçohen aspirata apo thërrmohen ëndrra. Kjo, sepse ka 100 mënyra për ta interpretuar një ligj në gërmë ose në frymë, në përputhje me dokumente ose me strategji, etj etj. Shpesh, duke humbur pas paragrafëve në një garë pedantizmi që nganjëherë perpiqet të maskojë korrupsionin, harrohet diçka themelore. Mënyra e vetme sesi një ligj interpretohet, është duke mbajtur në mendje qëllimin final të të gjithë korpusit të legjislacionit, krejt organizmin e drejtësisë së një vendi: interesin e qytetarëve. Dhe këtu diskutimi shtrihet edhe më gjerë, pasi në punën e Avokatit të Popullit edhe interesi i një personi, për sa i ligjshëm, duhet mbrojtur e duhet garantuar pavarësisht se ajo mund t’i kostojë shumicës apo mund të mos sjellë mbrapsht të njëjtën mbështetje popullore.”

Z. Brian Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së, vuri në dukje: “Avokati i Popullit është një institucion i pavarur i të drejtave të njeriut, puna e të cilit është me rëndësi kritike për promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe, për rrjedhojë, edhe për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Për një mori çështjesh, që nga ngritja e zërit për të drejtat e njeriut të grave dhe fëmijëve, te përfshirja sociale e bashkësive rome dhe egjiptiane, te nxitja e respektit për personat me aftësi të kufizuar apo ata që identifikohen si LGBTI, e deri te mbrojtja e mjedisit, Avokati i Popullit duhet të angazhohet me Kuvendin dhe t’i ofrojë rekomandime Qeverisë. Në këtë ndërmarrje, e gjithë familja e Kombeve të Bashkuara ndjek një qasje të bashkërenduar për ta mbështetur Avokatin e Popullit.”

Konferenca u përshëndet nga Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, Zëvendëskryeministrja, znj. Senida Mesi, dhe Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, znj. Romana Vlahutin dhe Z. Donald Lu, si dhe përfaqësues nga Kuvendi, Qeveria, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, shoqëria civile dhe bota akademike.