Login
Webmail

 

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, takoi Prof. Dr. Winfried Bausback, Ministër i Drejtësisë i Landit të Bavarisë, në Republikën Federale të Gjermanisë 

 

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, priti sot në një takim të veçantë dhe tejet miqësor, Prof. Dr. Winfried Bausback, Ministër i Drejtësisë i Landit të Bavarisë, në Republikën Federale të Gjermanisë, i cili shoqërohej nga Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, znj. Susanne Schütz.  

Z. Totozani shprehu kënaqësinë për vizitën e z. Bausback në Tiranë, si dhe e njohu atë me procesin e zhvilluar nga institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me Reformën në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për organet e Vetingut dhe strukturat e tjera që lidhen me këtë reformë. Z. Totozani  vlerësoi në këtë takim kontributin dhe eksperiencën e shkëlqyer të ekspertit gjerman, pjesë e trupës së ONM-së, që monitoroi pranë Avokatit të Popullit procesin e verifikimit të kandidatëve aplikues.     

“Reforma në Drejtësi është jetike për vendin tonë, si për zhvillimet e brendshme ashtu edhe në një kontekst më të gjerë, atë të integrimit në familjen e madhe europiane. Shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian”, tha z. Totozani në këtë takim. Avokati i Popullit shprehu vlerësimin maksimal për ndihmën e pakursyer të ofruar nga Gjermania dhe ambasada gjermane në Tiranë lidhur me reformën në Drejtësi, por edhe me trajtimin dhe evidentimin e krimeve gjatë periudhës së komunizmit. 

“Si Avokat i Popullit e konsideroj një fat të madh besimin që na u dha për të nisur procesin e Vetingut. Ndërsa, deklarata e ONM-së për punën profesionale dhe korrekte të ekspertëve të Avokatit të Popullit ishte një certifikim i shkëlqyer, për kontributin dhe angazhimin tonë, në këtë moment historik për vendin”, tha z. Totozani.     

Nga ana e tij, z. Bausback vlerësoi si mbresëlënëse këtë punë të kryer deri tani për Reformën në Drejtësi nga institucioni, si dhe uroi Avokatin e Popullit që të shohë suksesin e punës me kryerjen deri në fund të procesit të Vetingut në Shqipëri.

Në këtë takim u diskutua edhe për mënyrën e funksionimit të Avokatit të Popullit, si një institucion i pavarur Kushtetues, i paanshëm, jo politik dhe me mandat mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe interesat e qytetarëve nga veprimet arbitrare.

Z. Totozani e njohu z. Bausback me aktivitetin e kryer në ndihmë të qytetareve shqiptarë përgjatë mandatit 5-vjeçar, si dhe për angazhimin ndërkombëtar të institucionit, i cili aktualisht gëzon statusin A në OKB dhe përfaqësohet në nivele shumë të larta drejtuese në rrjetin e Ombudsmanëve.